Hajdini i LDK-së: Synojmë që paga minimale të jetë 300 euro
Shkëlzen Hajdini kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në emisionin “Debati Zgjedhor” në RTK ka thënë se pandemia ka pasur efektin negative në ekonominë tonë.
“Pandemia ka ndikuar në gastronomi, hoteleri, restotrane si dhe çdo sektorë tjetër të ekonomisë. Ka pasur edhe mbyllje të kufijve nga vendet tjera. Është penguar eksporti dhe importi i lëndës së parë, dhe kjo është një kompleks i fazës serioze”, ka thënë Hajdini.
Ai më tej ka theksuar se tanimë jemi në fazën ku duhet t’i qasemi me kujdes rimëkëmbjës ekonomike, sjelljes së ekonomisë në normalitet.
“Partitë në fakt premtojnë miliarda, por unë nuk e di se ka do të vijnë ato para. PDK premton miliarda përderisa buxheti jonë është 2 miliardë euro dhe krejt pritjet në buxhetin e Republikës së Kosovës sillen aty 1.5 miliardë, kurse shpenzimet janë shumë më të mëdha”, ka thënë tutje Hajdini.
“Ne duhet të rrisim borxhin publik si të jashtëm dhe ashtu të brendshëm, të shfrytëzojmë fondet e ndryshme nga organizatat ndërkombëtare, nga Fondi Monetar Ndërkomëtar afër 100 milionë për shpenzimet e paraqitura në buxhetin e Republikës së Kosovës, ngase ne kemi disa shpenzime fikse dhe më e arsyeshme është të bisedohet më qytetarin për një program të realizueshëm, i cili mund të zbatohet në praktikë”, ka shtuar Shkëlzen Hajdini për RTK.
Më pas ai ka thënë se fokus i LDK-së është fuqizimi i sektorit privat.
“Subvencioni i normave të interesit dhe përmes ofrimit të granteve për bizneset, ky është fokusi i parë, dhe i dyti është fuqizimi i gruas në biznes, fuqizimi i të rinjve në biznes, rritja dhe avancimi i mëtutjeshëm i mirëqënies sociale të pensionerëve dhe bujqësia”.
Sipas tij, për të arritur këto qëllime të programit planifikojnë të ndajnë fonde për mbështjetjen e projekteve, iniciativave të grave për futjen në fushën e biznesit.
Ai ka shtuar se ndër masat kryesore është edhe fuqizimi i turizmit, siç janë tre pikat kryesore, shpella e Gadimës, qyteti i vjetër i Janjevës dhe parku i Blinajës.
Hajdini tha se LDK-ja, pagën minimale gjatë mandatit 4 vjeçar, e ka paraparë të jetë 300 euro.
“Ne në programin tonë kemi paraparë që paga minimale gjatë mandatit 4 vjeçar të jetë 300 euro, si dhe çdo pension mos të jetë më i ulët se paga minimale dhe ka paraparë të hiqet kufizimi 15 vjetëve të para luftës”, ka shtuar ai.
Sipas tij, LDK-ja siguron që do të angazhohen në një ekonomi të qëndrueshme përmes përkrahjes së bizneseve, burimeve të financimit, rishikimit të politikave fiskale, fuqizimit të turizmit etj. /RTKLive/























