Senati çon përpara gjyqin kundër Trumpit
BKT
Lajme

Senati çon përpara gjyqin kundër Trumpit

Senati amerikan ka votuar për të çuar përpara gjyqin e dytë ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, mirëpo dënimi duket se është i pamundshëm, përveç nëse një mori republikanësh ndryshojnë qëndrim.

Me 56 vota për dhe 44 kundër, Senati ka votuar për 9 shkurt për nisje të procedurave formale më 10 shkurt, për të vërtetuar nëse Trump është fajtor për “nxitje të kryengritjes” lidhur me sulmet që i janë bërë Kongresit më 6 janar.

Gjashtë republikanë u janë bashkuar demokratëve në Senatin e ndarë, në mbështetje të votës procedurale, çka ka treguar se dy të tretat e nevojshme për të dënuar Trumpin vështirë se mund të arrihen në gjyq.

Në votën rreth procedurave të gjyqit, në qendër të diskutimit kanë qenë argumentet nëse Kushtetuta amerikane mbështet mbajtjen e një gjyqi të tillë pasi Trump ka përfunduar mandatin.

Demokratët që kanë udhëhequr gjyqin, të njohur si menaxherë të procesit të gjyqit, kanë dorëzuar argumente ligjore, bashkë me fjalime emocionale për të fuqizuar rastin e tyre, derisa republikanët besojnë se ekipi i mbrojtjes së Trumpit nuk ka qenë i organizuar dhe koherent, transmeton REL.

Mediat amerikane kanë raportuar që Trump, duke shikuar procesin nga prona e tij në Florida, është zemëruar nga prezantimi i argumenteve nga ana e ekipit të tij mbrojtës.

Menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur deklaratat e tyre, duke iu treguar senatorëve, që kanë rolin e jurisë në këtë proces, një material 13-minutësh të trazirave që kanë ndodhur në Kongres.

 


MË SHUME NGA Lajme