Tre infermieret dhe sanitarja mohojnë akuzat
BKT
Shqipëri

Tre infermieret dhe sanitarja mohojnë akuzat

Tre infermieret dhe sanitarja e spitalit Shefqet Ndroqi, që u arrestuan dy ditë më parë si të përfshira në çështjen “Tire Alldervishaj”, kanë mohuar akuzat e mashtrimit dhe korrupsionit në dëm të pacientëve me COVID-19.

Avokatët mbrojtës kanë kërkuar lehtësime të masave të sigurisë së të ndaluarave dhe kanë vënë në diskutim hetimet e prokurorisë.

Për infermieret M.B (52 vjeçe) dhe Sh.K (61 vjeçe), avokatët kërkuan lirim nga burgu dhe kalimi në “arrest shtëpie” me arsyet se kanë familjarë të sëmurë dhe nuk përbëjnë rrezik “për prishjen e provave”.

Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, u shpreh se në momentin e arrestimit të sanitares Tire Alldervishaj në janar, infermieret dhe sanitarja tjetër R.H (57 vjeçe) kanë fshirë bisedat me të nga aplikacionet e komunikimit, ndërsa këto të fundit mohuan të kenë pasur kontakte direkte me pacienten që humbi jetën, vajzës së të cilës Tire Alldervishaj i kishte marrë shuma të ndryshme parash.

Infermieria R.H (57 vjeçe) tha e revoltuar se nuk kishte lidhje me sanitaren Alldervishaj dhe se në 37 vite punë ka shërbyer “me ndershmëri” dhe “nuk ka marrë asnjëherë para”.

Përfaqësuesja ligjore e infermieres S.Ç (28 vjeçe), Antoneta Sevdari, pasi e konsideroi ndalimin të paligjshëm dhe pasi kërkoi lehtësim i masës së sigurisë tha se e konsideronte të pa-argumentuar kufizimin e hetimeve të prokurorisë vetëm te sanitaret dhe infermieret, duke qenë se për trajtimin e pacientëve vendosin mjekët.

Çështja e korrupsionit të punonjësve të spitalit Shefqet Ndroqi, ku mjekohen të sëmurët me COVID-19, është bërë e dhe më e gjerë pasi ka dyshime për një skemë mashtrimi dhe zhvatjeje të familjarëve të pacientëve.


MË SHUME NGA Shqipëri