Shqiptarët i shohin politikanët si të korruptuar dhe mbrojtës të të pasurve
Shumica e shqiptarëve mendojnë se zvogëlimi i diferencës së theksuar mes të pasurve dhe të varfërve në vend, duhet të jetë prioritet për qeverinë.
Sipas përgjigjeve të qytetarëve në sondazhin për zgjedhjet e 25 prillit, të publikuar nga Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë prestigjioze MRB, qytetarët mendojnë se qeveria duhet t'i ketë parasysh dallimet mes të pasurve dhe të varfërve, që po vijnë duke u theksuar.
Përhapja e korrupsionit tek politikanët dhe mbrojtja e interesave të të pasurve dhe të fuqishmëve nga politikanët janë gjithashtu dy pika që gëzuan konsensus të qytetarëve si problematika të mëdha që duhet të jenë në krye të tavolinës së punës për këdo që mban postin e kryeministrit në Shqipëri.
Qytetarët votuan në shumicë se janë kundër anashkalimit të ligjit nga një lider i qeverisë, pavarësisht çdo qëllimi.
Ata gjithashtu e perceptojnë Shqipërinë me problem në korrupsion politik krahasuar me Ballkanin.
67.5% nuk mendojnë se politikanët përpiqen për begatinë e qytetarëve të të gjithë vendit.
Metodologjia
Sondazhi anketoi 1600 persona me të drejtë vote në 12 zona elektorale urbane dhe rurale në të gjithë Shqipërinë gjatë periudhës 22 dhjetor-13 janar.
Tematikat e pyetjeve qenë të lidhura me performancën e qeverisë, performancën e partive politike, popullaritetin e liderëve politikë dhe vlerësimin për çështjet operacionale në Shqipëri.























