Kushtetuesja shpresë për pronarët, Vorpsi: Prodhon një situatë e re
BKT
Shqipëri

Kushtetuesja shpresë për pronarët, Vorpsi: Prodhon një situatë e re

Neni 7 i ligjit për pronat, i cili parashikonte përfundimin e procesit të kompensimit të ish-pronarëve brenda 25 vjetësh, është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Shoqata Pronësi me Drejtësi, që e paditi këtë ligj duke kërkuar një afat më të shpejtë, e shikon si shpresë këtë vendim. 

Në një intervistë për Euronews Albania, sekretari i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myshit Vorpsi tha se Parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit duhet ta rishikojë ligjin e rrëzuar.

 “Vendimi është një tullë më tepër sa i takon shtetit të së drejtës që duhet të ngrihet në Shqipëri. Ka krijuar një situatë të komplet të re. De facto ligji 133 është i destinuar të rikonceptohet edhe një herë nga e para, pasi është i rrëzuar. Nuk do të jetë detyrë e këtij parlamenti, por patjetër do të jetë detyrë e Parlamentit të ri nisur edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbrëmë”, tha Myshit Vorpsi, sekretar i Shoqatës Pronësi me Drejtësi.

Vendimi pritet që të prodhojë edhe një faturë për buxhetin e shtetit shqiptar. Por Vorpsi thekson se paratë për kompensimin e pronarëve nuk duhet të merren nga taksapaguesit shqiptarë, por nga ata që i kanë përftuar pronat nga ligji 7501 dhe ai për legalizimet.

“Nuk mund të jenë taksapaguesit shqiptarë ata që duhet të paguajnë për kompensimin e pronarëve shqiptarë. Parimi duhet të jetë i thjeshtë, nëse dikush ka përftuar një pronë që nuk ka qenë e tij, duhet ta paguaj që ta ketë të tijën”, shprehet z. Vorpsi

Vendimi për këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese u mor unanimisht, me votën pro të 7 anëtarëve, ndërsa brenda 1 muaji pritet të publikohet edhe vendimi i plotë arsyetuar.


MË SHUME NGA Shqipëri