Rama: Kam marrë konfirmim për 360 mijë doza në prill nga një shtet mik
BKT
Shqipëri

Rama: Kam marrë konfirmim për 360 mijë doza në prill nga një shtet mik

Ndërsa kanë nisur vaksinimet në Shkodër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ka marrë konfirmim me shkrim nga një shtet mik për 360 mijë doza që duhet të mbërrijnë në muajin prill.

Por kreu i qeverisë është shprehur i rezervuar megjithatë duke iu referuar situatës që ndryshon sidomos në kushtet e mospatjes ende të një marrëveshjeje me shkrim. “Ne jemi intensivisht në komunikim për të arritur një marrëveshje me AstraZeneca, dhe siç ju kam thënë komunikimet janë në disa rrafshe, përveç rrafshit të komunikimet në mënyrë të drejtpërdrejtë me kompanitë. Sot kemi marrë një konfirmim me shkrim të një shteti mik për 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, që gjithmonë sipas këtij komunikimi do të fillojnë të lëvrohen në muajin prill, por po e jap këtë si informacion pa dashur të konfirmoj asgjë, përderisa nuk kemi firmosur dhe nuk kemi vulosur marrëveshjen pasi në një situatë si kjo, që ndryshon çdo ditë, çdo fjalë pastaj duket si propagandë, duket si fushatë elektorale etj”, ka bërë me dije zoti Rama.

Në kryeqendrën e Veriut vaksinimi ka nisur të martën me 150 dozat e para, sipas asaj që deklaroi ministrja e shëndetësisë. "Duke nisur nga e enjtja vaksinimi anti-COVID do të shtrihet edhe në Vlorë për të vijuar më tej në të gjithë vendin" njoftoi ministrja Manastirliu. Procesi i injektimit nisi me personelin shëndetësor dhe më tej vijoi me të moshuarit dhe personelin në shtëpinë e të moshuarve në qytetin e Shkodrës. 
Në Shqipëri ka mbërritur 7020 doza të vaksinës Pfizer, ndërsa kryeministri Edi Rama bëri me dje se brenda marsit përmbyllet mbërritja e të gjitha dozave të kontraktuara me kompaninë amerikane./RTSH

 


MË SHUME NGA Shqipëri