Regjistrohet “Aleanca për Ndryshim”, PD bën bashkë 12 parti
BKT
Shqipëri

Regjistrohet “Aleanca për Ndryshim”, PD bën bashkë 12 parti

Partia Demokratike ka arritur të bëjë bashkë 12 parti politike për zgjedhjet e 25 prillit.

Koalicioni “Aleanca Për Ndryshim” i kryesuar nga PD është regjistruar në KQZ.

Krahas aleateve që përbënin opozitën e bashkuar si i Partisë Republikane, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Partisë Agrare Ambientaliste, Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partisë Demokristiane, Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Partisë Lëvizja e Legalitetit, Bashkimi Liberal Demokrat, Balli Kombëtar Demokrat, Bashkimit Demokrat dhe Kristian—demokrat,  ftesës publike të Lulzim Basha për t’u bashkuar kundër qeverisjes aktuale i është përgjigjur edhe Fryma e Re Demokrate e kryesuar nga ish-nënkryetari i PD-së, Bamir Topi.

Para nënshkrimit të marrëveshjeve demokratet kane finalizuar çdo detaj të bashkëpunimit me partitë aleate, që nga përfaqësimi , pozicioni i tyre ne listat e votimit e deri tek programet.

“U arrit firmoja e koalicionit që do të arrijë fitoren në datën 25 prill. Firmosën të gjitha partitë që ishin parashikuar që të firmosinin. Koalicioni u arrit dhe depozitua në KQZ”, u shpreh Ivi Kaso.

Pas dorëzimit të shkresës për regjistrimin e koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim, Lulzim Basha në një status në Facebook ka shkruar se sot siguruam fitoren e Shqipërisë, njofton euronews.albania.

“Për 8 vjet Rama e ka lënë Shqipërinë vendnumëro dhe ka dështuar në çdo drejtim. Vende si yni ndërkaq kanë qenë shumë më të suksesshëm se ne. Shqipëria ka humbur për shkak të Ramës. Rama, që nuk ka arritur as edhe një sukses për 8 vjet, nuk mund të kërkojë edhe 4 vjet të tjerë që ta provojë. Ka ardhur koha të ndryshojmë. Sot siguruam fitoren e Shqipërisë. Ne kemi plane serioze pune për ta çuar Shqipërinë drejt fitores. Aleanca për ndryshim. Shqipëria Fiton!”, shkroi Basha.

Me herët në selinë e PD të gjithë aleatet e saj i dhanë dorën e fundit koalicionit zgjedhore. Fatmir Mediu nuk ka pranuar të japë detaje lidhur me numrin e deputetëve që do të ketë në listë, por u shpreh i gatshëm që të japë kontributin e tij, aty ku maksimizohen votat e opozitës. Kreu i PDIU Shpetim Idrizi tha se do t’i ofroje koalicionit mbi 50 mijë vota por s’ka pranuar të japë detaje ku do të kandidojë.

Balli Kombëtar Demokrat do të jetë pjesë e koalicionit dhe pse kryetari i saj Artur Roshi nuk dogji mandatin e deputetit.

Pjese e koalicionit është dhe  FRD e Bamir Topit. Salih Shehu, ish-funksionar i PD do të jetë përfaqësuesi i saj.


MË SHUME NGA Shqipëri