Ambulanca e Aeroportit dënohet me 8 mijë euro nga Inspektorati Shëndetësor
BKT
Lajme

Ambulanca e Aeroportit dënohet me 8 mijë euro nga Inspektorati Shëndetësor

Shërbimit mjekësor që vepron pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Limak Kosovo”, i është ndaluar ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore nga Inspektorati Shëndetësor.

Gjatë inspektimit ishte konstatuar se ky subjekt nuk kishte licencë pune të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili në kohën e inspektimit, ushtronte veprimtari shëndetësore-mjekësore duke shkelur dispozitat ligjore. Madje për këtë i është shqiptuar edhe gjoba prej 8 000 eurove.

IndeksOnline ka siguruar vendimin e Inspektoratit Shëndetësor, ku jepen arsyet e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe arsyet e dhënies së gjobës.

Në vendim thuhet se institucioni shëndetësor mund të fillojë punën vetëm pasi të licencohet nga Ministria e Shëndetësisë.

“Inspektorati Shëndetësor ka nxjerr vendim ku i ndalohet ushtrimi i veprimtarisë shëndetësore deri në Licencimin nga Ministria e Shëndetësisë Shërbimi mjekësor-Limak Kosovo internacional Airport J.S.C, Adresa: Prishtina Internacional Airport, Vrellë, Lipjan, 10070, 0, dhe për shkelje të dispozitave ligjore të Ligjit për Shëndetësi dënohet me vlerë prej 8 000 euro. Pagesa e gjobës së shqiptuar në paragrafët paraprak duhet të bëhet në afat prej 8 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi në xhirollogarinë e Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në vendimin e Inspektoratit.

Inspektorati Shëndetësor i Republikës së Kosovës me datë 21.01.2021, kishte bërë inspektimin e planifikuar në Shërbimin mjekësor- Limak Kosovo internacional Airport J,S,C.

Limak Kosovo interacional Airport J.S.C (Shërbimi mjekësor), sipas vendimit të Inspektoratit Shëndetësor ka shkelur dispozitat ligjore të nenit 42 paragrafi 1 i cili përcakton se Institucioni Shëndetësor mund të fillojë punën vetëm pas licencimit nga Ministria e Shëndetësisë, sanksionuar me nenin 94, paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Shëndetësi 04/L-125.

Prandaj duke u bazuar në faktet e lartcekura dhe në dispozitat ligjore përkatëse, u vendos si në diapozitiv të këtij vendimit.

Nëse ky vendim nuk respektohet, Inspektorati Shëndetësor do të marrë masa tjera ndëshkimore në përputhje me Ligjet në fuqi./IndeksOnline/


MË SHUME NGA Lajme