Vota nga mërgata, Celibashi: Po diskutohet votimi me postë, ose me e-mail

Vota nga mërgata, Celibashi: Po diskutohet votimi me postë, ose me e-mail

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë në konsideratë kërkesën e Opozitës së Bashkuar për shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit.

Komisioneri Ilirjan Celibashi, gjatë një konference për mediet ka deklaruar se do të bëjë një kërkesë në Ministrinë e Brendshme, për të garantuar votën e të paktë 932 mijë qytetarëve që u kanë skaduar mjetet e identifikimit.

Lidhur me votimin e personave të prekur nga COVID-19, i pyetur nga Euronews Albania, Celibashi ia kaloi përgjegjësinë qeverisë, duke theksuar se është në pritje të një vendimi të ministrisë së Shëndetësisë, njofton euronews.albania.

“Kjo është një çështje që është jashtë KQZ sa i përket rregullit që duhet të ndiqet”,tha ai.

Celibashi u shpreh shpresëplote edhe për votën e emigrantëve, por duke theksuar se këtë vit do të jetë një numër i kufizuar që do të votojnë dhe kjo do të shërbejë si një provë për të ardhmen.

 “Për sa i përket mënyrës së votimit. Akoma nuk kemi vendosur, pasi në fillim duhet të dakordësohemi për procedurat. Në grupin e punës po diskutohen dy mënyra, duke e ofruar shërbimin përmes postës dhe mënyra tjetër dërgimin e të fletës së votimit përmes e-mailit”, tha ai.

Ndërkohë, pas regjistrimit të 3 koalicioneve dje, kryekomisioneri i zgjedhjeve theksoi se modeli i fletës së votimit do të varet nga numri i partive të cilat do të arrijnë që depozitojnë listën e plotë me kandidatë për deputetë në 8 mars.

“Ne sot nuk e dimë se si do të jetë përbërja e fletës së votimit. E mira do të ishte që në fletë të ishin edhe emrat e kandidatëve, por kjo do të varet shumë nga numri i partive”, tha zoti Celibashi.