Rama fton Najada Çomon për të garuar për deputete të PS-së
Deri në mbylljen e listave të kandidatëve për deputetë me 8 mars, duket se në kampin socialist nuk do të mungojnë surprizat.
Burime bëjnë me dije se kryeministri Rama i ka bërë një ftesë drejtoreshës së Spitalit Infektiv, Najada Çomo, për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të PS për zgjedhjet e 25 prillit.
Çomon e kishte ftuar dhe në aktivitetin e sotëm në kuadër të zgjedhjeve të 25 prillit “Shëndetësia që duam”, duke folur me superlativa.
“Jam me simbolin e kësaj lufte, heroinë të vijës së zjarrit. Me një imazh të mirënjohur për të gjithë ju, profesoreshën, komandante e spitalit Covid 1 Najadën që e kam ftuar për të sjellë një dëshmi ndryshe nga vija e zjarrit”.
Nga zonja Çomo nuk ka ende një reagim dhe nuk dihet se si do ti përgjigjet kësaj ftese.
Najada Çomo është një nga personat që janë rreshtuar që në ditën e parë të pandemisë në vijën e parë të betejës me COVID.























