Gjykata refuzon kërkesë për lirim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha
Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën për lirim të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.
Hoxha kërkoi zëvendësim të masës "arrest në burg" me një masë më të butë duke e argumentuar me nevojat e veçanta të djalit të saj, si dhe faktin se vajza e mitur është shkëputur nga shkolla.
Gjyqtarja e Krujës po hetohet nën masën e arrestit me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Vendimi për pezullimin e saj është marrë sot nga Komisioni Disiplinor pranë KLGJ-së, njofton euronews.albania.
Enkelejda Hoxha me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë dyshohet për korrupsion pasi do të lironte një të dënuar kundrejt një shumë të konsiderueshme parash.
Bashkë me gjyqtaren Enkelejda Hoxha u arrestuan dhe disa persona të tjerë mes të cilëve funksionarë të Gjykatës së Krujës dhe mjeku i njohur, Edvin Prifti.























