Kërkesa të shumta për hospitalizim nga Covid-19
BKT
Lajme

Kërkesa të shumta për hospitalizim nga Covid-19

Ariana Kasapolli, Radio Kosova

Numri i personave të infektuar me koronavirus javët e fundit është rritur. Rrjedhimisht edhe numri i të hospitalizuarve. Megjithëkëtë profesionistët shëndetësorë thonë se ndonëse  kapacitetet spitalore janë të mbushura, tashmë janë bërë përgatitje shtesë për rritje eventuale të personave që kanë nevojë për hospitalizim. 
Sali Ahmeti, infektolog, tha për Radio Kosovën se përveç Klinikës Infektive, janë përgatitur shtretër shtesë në klinika të tjera për pranimin e pacientëve të infektuar me koronavirus që kanë nevojë për trajtim.

‘’Numri i pacientëve është shtuar ditëve të fundit dhe ne jemi duke punuar me kapacitete të plota ditëve të f undit. Për pranimin e pacientëve janë në dispozicion Klinika e Pulmologjisë, Klinika Sportive dhe Klinika Intensive Qendrore. Me këto kapacitete po përballohet fluksi i pacientëve deri më tani, dhe nëse kemi shtim të numrit të rasteve, ne kemi kapacitete dhe shtretër për hospitalizimin e tyre’’, tha Ahmeti.


Ndërkaq drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi tha se tani për tani janë duke i menaxhuar rastet me Covid-19, por që po vërehet një presion dhe fluks i pacientëve për t’u hospitalizuar.


 ‘’Kapacitetet janë të mbushura. Që nga fillimi realisht i kemi të mbushura kapacitetet si në Klinikën Infektive, Pulmologjike, atë të Mjekësisë Sportive dhe Mjekimin Intensiv e që aty janë me 26 shtretër. 


Ndërkaq në spitale regjionale pacientët janë të shtrirë në reparte të Infektives Pulmologjisë dhe Internos e që janë aktualisht  plot me pacientë’’, tha Krasniqi.


Sido që të jetë, shumica e barnave për trajtimin e pacientëve me Covid-19, sipas zyrtarëve shëndetësorë tashmë janë siguruar nëpër klinika. 

 


MË SHUME NGA Lajme