Policia e Kosovës po bashkëpunon me emisionin “Udhëve” për krimet serbe
Pas transmetimit në emisionin ‘Udhëve’ të shumë dokumenteve sekrete të ushtrisë dhe policisë së Serbisë ku dëshmohen krimet e kryera nga shteti serb në Kosovë, Policia e Kosovës, sektori i hetimeve të krimeve të luftës ka filluar bashkëpunimin me redaksinë e programit hulumtues në RTK.
Me këtë rast hetuesit e krimeve të rënda janë takuar me redaktoren përgjegjëse Ramize Murtezi Shala, e cila i ka ofruar në dipozicion policisë me dhjetëra dokumente zyrtare të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë së Serbisë ku dëshmohen krimet e kryera nga shteti serb në Kosovë gjatë luftës së fundit 1998-1999.
Ky dokumentacion ka të bëjë me krime të ndryshme në tërë territorin e Kosovës, si vrasje, dhunime, plaçkitje të shqiptarëve, si dhe emrat e atyre që kryen këto krime.
Ramize Murtezi Shala ka thënë se ky bashkëpunim është mëse i nevojshëm dhe shumë i mirëseardhur për arsyen e vetme që të punohet bashkarisht që të mundësohet kapja e kriminelëve. Poashtu ajo tha se këta kriminelë kanë emër e mbiemër dhe janë shumë të njohur edhe për autoritetet në Serbi por, që ata asnjëherë nuk kanë treguar interesim serioz për të denuar bashkëqytetarët e vet për krimet e kryera në Kosovë.
Deri më tani për këto dosje është interesuar vetëm Policia e Kosovës, sektori i hetimeve të krimeve të luftës, por jo edhe prokuroria për krime lufte që edhe e ka obligim hetimin e të gjitha krimeve gjatë luftës në Kosovë. /RTKLive/























