Ademi përshëndet rizgjedhjen e Sejdinit në krye të federatës në Maqedoni
BKT
Sport

Ademi përshëndet rizgjedhjen e Sejdinit në krye të federatës në Maqedoni

Muamed Sejdini është rizgjedhur sot president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Dhe nuk ka munguar urimi i presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit.

"Pa dyshim se arritjet e tij na bëjnë krenarë të gjithë shqiptarëve", ka vlerësuar Ademi.

Reagimi i plotë i Ademit: 

Sot, miku im, Muamed Sejdini u rizgjodh në krye të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, për një mandat të ri katërvjeçar.

Kam kënaqësinë që në emrin tim dhe të të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë t’ia përcjell urimet më vëllazërore në këtë ditë të rëndësishme.

Menaxhimi i suksesshëm dhe puna e tij e drejtë në krye të Shtëpisë së Futbollit të Maqedonisë së Veriut u vlerësua unanimisht nga delegatët e futbollit në vendin tonë fqinj.

Pa dyshim se arritjet e tij na bëjnë krenarë të gjithë shqiptarëve.

Marrëdhëniet tona vëllazërore, por edhe ato institucionale do të vazhdojnë të jenë në nivelet më të larta, me qëllim të krijimit të mundësive të reja për dy vendet tona.