Shtyhet vaksinimi i mësuesve në Shkodër dhe Korçë, pritet të nisë në Vlorë
BKT
Shqipëri

Shtyhet vaksinimi i mësuesve në Shkodër dhe Korçë, pritet të nisë në Vlorë

Edhe pse ishte parashikuar që sot të niste procesi i vaksinimit të mësuesve në Shkodër, gjatë ditës së sotme nuk do të injektohet asnjë dozë e Astrazeneca-s tek arsimtarët në këtë qytet.

Njoftohet se nga Shkodra se procesi i vaksinimit të mësuesve nuk do të fillojë ditën e sotme dhe lajmi është konfirmuar nga Drejtuesja e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetëror, Xheni Halili.

Gazetari raportoi se vaksinimi pritet të zhvillohet në ditët në vijim në palestrat dhe biblotekat e shkollave dhe se gjithë skema është bërë gati, njofton euronews.albania.

E njëjta situatë është edhe në qytetin e Korçës, ku procesi i vaksinimit për mësuesit pritet të nisë në ditët në vijim.

Gazetari Xhensil Shkëmbi raportoi se sot do të vaksinohen personat mbi 90 vjeç, që janë rreth 30 persona që janë lajmëruar nga mjekët e familjes në qytetin e Korçës. 

Ndërkohë, në Bilisht në orën 10:00 pritet të nisë vaksinimi për 250 mësues dhe në Pogradec pritet të nisë procesi i vaksinimit në orën 11:00.

Do të jenë dy shkolla 9-vjeçare si  stacione vaksinimi në qytetin e Pogradecit. 

Sakaq, në Vlorë gazetarja Ebrieta Maçi u shpreh se në këtë qytet pritet të nisë në orën 10:00 vaksinimi për 40 mësues të shkollës 9 vjeçare “24 Maji”.

Po kështu, janë parashikuar 50 doza në total, pasi do të vaksinohen edhe punonjësit e Zyrës Vendore të Arsimit në Vlorë.


MË SHUME NGA Shqipëri