Sulmohet fizikisht kandidati për deputet i PD-së në Elbasan
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, denoncoi mesditën e sotme në media përplasjen fizike me sipërmarrësin Gjergj Luca.
Sipas Boçit përplasja ka qenë për motive politike dhe për këtë ai tha se do t’i drejtohet autoriteteve.
Duke shpjeguar versionin e tij për ngjarjen, Boçi tha se kishte qenë duke dalë nga një takim elektoral, ku ishte sulmuar fillimisht me fjalë nga sipërmarrësi Luca e më pas, sipas tij, situata ka përshkallëzuar në sulm fizik, njofton euronews.albania.
“Të majtët janë të frikësuar nga humbja. Guxojnë të godasin edhe përfaqësuesit politikë,” – u shpreh Boçi në deklaratë për mediat në të cilën dukej qartë një lëndim i marrë në grykë.
“Vija nga një takim me përfaqësues të zonës [në Labinot, Elbasan]. Në ikje, ky person [Gjergj Luca] fillon e sulmon me fjalë dhe pastaj në përpjekje për të gjuajtur [...] kercenoi dhe me jetë,” – tha ish-deputeti, i vendosur i 7-ti në listën e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 25 prillit në Elbasan.























