Lirak Çelaj kërkon zëvendësimin e Kadri Veselit me Vlora Çitakun
BKT
Lajme

Lirak Çelaj kërkon zëvendësimin e Kadri Veselit me Vlora Çitakun

Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, Lirak Çelaj, ka thënë se pas rezultatit të PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të bëhet reformë themelore brenda partisë së tij.

Edhe pse kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, vazhdimisht e ka potencuar se nuk duhet ngutur me ndryshime formale në lidership, pasi lideri i PDK-së, Kadri Veseli, është në burg, Lirak Çelaj po kërkon që vendin e Kadri Veselit ta marrë ish ambasadorja Vlora Çitaku, edhe pse në zgjedhjet e fundit nuk pranoi të hynte në listën e PDK-së për deputete.

“Unë mendoje që pas rezultatit në zgjedhjet e 14 shkurtit duhet të ndërrojë diçka brenda PDK-së, duhet të bëhet një reformë themelore, se a duhet të ndryshohet e tërë kryesia apo një pjesë e saj, kjo duhet të jetë pjesë e debatit të brendshëm”, ka thënë ai.

Ndërsa anëtari i KD të PDK-së ka shprehur, po ashtu, se Vlora Çitaku do të mund të ishte lidere e partisë pasi është rritur në PDK.

“Vlora Çitaku mund të jetë njëra prej lidereve të partisë, sepse është një personalitet që është rrit me PDK-në dhe është njëri ndër autoritetet edhe jashtë partisë dhe jo vetëm brenda partisë”, ka deklaruar Çelaj për Infokus.

Mirëpo, sipas tij, ka edhe personalitete të tjera brenda PDK-së, të cilët mund të marrin udhëheqjen si: Bedri Hamza, Hajredin Kuçi “e shumë të tjerë”.

Kujtojmë se PDK ka dalë e dyta në zgjedhjet e 14 shkurtit me 17.41 përqind apo 133,722 vota.


MË SHUME NGA Lajme