Ruçi uron kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës
BKT
Lajme

Ruçi uron kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i dërgoi sot një letër urimi kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Me rastin e zgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, Ju uroj nga zemra suksese në detyrën tuaj të lartë dhe fisnike”, nis letra e urimit.

“Kosova ndodhet sot para sfidash të mëdha e të vështira, përballimi i të cilave është plotësisht i mundur me përkushtimin e institucioneve të reja të Republikës dhe partneritetin e ngushtë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian”, u shpreh Ruçi.

“Nën lidershipin tuaj vizionar, Kuvendi i Kosovës do të përballojë e zgjidhë me sukses detyrat themelore të zhvillimit, përparimit dhe integrimit euro-atlantik dhe rritjes së rolit e kontributit të Republikës së Kosovës si një faktor paqeje e stabiliteti në rajon e më gjerë”, theksoi ai.

“Gjej rastin të rikonfirmoj vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë si edhe timin personal se bashkëpunimi  midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës do të zgjerohet e intensifikohet”, përfundon letra e urimit e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. /atsh


MË SHUME NGA Lajme