Kosova pa plan për vaksinimin e qytetarëve
Ariana Kasapolli
Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit kundër COVID-19, dhe nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar se kur mund të arrijë kontigjenti i parë i vaksinave në Kosovë.
Sipas planit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në fazën e parë është paraparë të vaksinohen 3 për qind e popullatës, apo 54 mijë qytetarë të Kosovës, ku në këtë fazë hyjnë grupet e rrezikut.
Ndërkaq në fazën e dytë, është paraparë të vaksinohen pjesa tjetër e popullatës prej 17 për qind apo 306 mijë qytetarë.
Megjithëkëtë zyrtarë shëndetësorë kanë ngre shqetësimin e tyre se kurdo që të arrijë vaksina, vaksinimi nuk do mund të realizohet në mënyrë të drejtë, sidomos kur është fjala për personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80 vjeç.
Kosova nuk ka statistika të detajuara shëndetësore, pasi që mungon funksionimi i duhur i Sistemit Informativ Shëndetësor, në mënyrë që të bëhet e ditur se cilat janë grupet e rrezikuara.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla tha për Radio Kosovën se nuk kanë marrë ndonjë plan të detajuar nga Ministria e Shëndetësisë se si do të rrjedhë vaksinimi. Megjithëkëtë ai shton e do duhet që ky institucion të minimizojë problematikën e marrjes së vaksinës me hatër, duke i a anashkaluar grupet e rrezikut siç janë , moshat e shtyra, ata me sëmundje kronike, njerëz të ekspozuar si stafi shëndetësorë, mësimdhënës e policia.
‘’Ne nuk kemi ndonjë plan nga Ministria e Shëndetësisë se si do të shkojë vaksinimi. Unë besoj që MSH do ti respektoj kriteret e organizmave ndërkombëtar. Besoj që nuk do të ndodh që dikush vaksinën ta merr me hatër, ndonëse është problematikë që po e përcjell gjithë botën, por do duhet që ti minimizojmë këto praktika’’, tha Syla.
Ndërkaq infektologu Ilir Tolaj bëri të ditur se në bazë të mungesës së të dhënave, nuk po sheh se në çfarë baze do të bëhet distribuimi i vaksinave nëpër komuna, dhe se kjo mënyrë shkakton pakënaqësi dhe mundësi të abuzimit.
Andaj ai shtoi se kjo do të mundësojë që sistemi publik shëndetësor të politizuar, e të nëpërkëmbur, përparësi do të kenë më të fuqishmit dhe jo nevojtarët.
‘’Ne jemi vendi i vetëm në rajon që nuk ka filluar vaksinimi dhe nuk e kemi të çartë se kur do të vinë vaksinat dhe nuk e dimë sasinë që do të vijnë. Kjo është një dështim i madh i përgjegjësve, dhe duke vazhduar të gënjejnë nuk po mund të gjejnë fjalë më, përpos që e kanë bërë punën e tyre'', tha Tolaj.
Ai tha se ndonëse Shqipëria ka shpreh gatishmërinë për ti vaksinuar një numër të caktuar të stafit shëndetësorë, ajo është më se e pa mjaftueshme.
‘’ Sigurimi i vaksinave në sasinë çfarë janë në mes të Shqipërisë dhe Kosovës pavarësisht që është simbolik , është gjest i rëndësishëm, por në aspektin e ndikimit të pandemisë është minor ose i pa përfillshëm, pasi vaksinimi duhet të përfshijë më shumë se 300 mijë njerëz në mënyrë që të krijohet imuniteti dhe të ndalë hovin e përhapjes së virusit’’.tha Tolaj.
Sipas kryeministrit të sapozgjedhur të Kosovës, Albin Kurti, menaxhimi i pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi kërkon veprim urgjent në mënyrë që të eliminohet numri i vdekjeve dhe të ulen rastet pozitive me COVID-19.
Gjatë mbledhjes ceremoniale të kabinetit të ri qeverisës, të mbajtur të martën, Kurti tha se “pres në tavolinën time të më vijë urgjent plani për menaxhimin e pandemisë”.























