Meta ftesë qytetarëve: Denonco krimin zgjedhor, mos hezitoni
BKT
Shqipëri

Meta ftesë qytetarëve: Denonco krimin zgjedhor, mos hezitoni

Presidenti Ilir Meta ka krijuar një dritare në faqen e Presidencës, ku u jepet mundësia çdo qytetari që të denoncojë krimin zgjedhor.

Përmes një deklarate për mediat, Meta tha se fenomeni i shitblerjes së votës është prezent dhe se duhet bërë gjithçka për ta mbrojtur votën e lirë.

“Nga sot na ndajnë vetëm 30 ditë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Për këtë arsye dua të ndaj me Ju nismën time “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”, ku çdo qytetar mund të denoncojë dhe të demaskojë çdo veprim, që përbën shkelje të së drejtës themelore të votës apo që dëmton procesin zgjedhor! Krimi zgjedhor, godet dhe shtrembëron vullnetin e zgjedhësit, instalon autokracinë dhe rrezikon demokracinë, duke përdhosur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të drejtat, liritë dhe vlerat universale, që mbrohen prej saj. Rreziku i shit-blerjes së votës është i pranishëm dhe kërcënues. Prandaj të gjithë bashkë, ne duhet të jemi barrikadë për të ndalur një herë e mirë, këto veprime të shëmtuara dhe të papranueshme për një vend demokratik! Që nga sot, kam vendosur t’u vë dispozicion të gjithë qytetarëve një dritare të re të mbrojtjes së votës së lirë me moton, “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”.”

Meta u bëri thirrje qytetarëve që të mos kenë frikë të denoncojnë çdo rast të abuzimit me votën e lirë.

“I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të mos hezitojnë, të mos tremben, por me kurajo dhe pa hezitim, të denoncojnë në mënyrë të dokumentuar, me çdo mjet, me zë dhe me figurë, çdo veprim të kundraligjshëm. Presidenti i Republiës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi, dhe bërjen publike të fakteve që lidhen me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor.”


MË SHUME NGA Shqipëri