KQZ miraton rregullat e votimit
Komisioni Rregullator i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka miratuar rregullat e ngritjes, organizimit, funksionimit të Komisioneve të Qendrave të Votimit dhe zhvillimit të zgjedhjeve në Qendrën e Votimit.
KQV-ja ose Komisioni i Qendrës së Votimit përbëhet nga shtatë anëtarë të emëruar nga Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor, KZAZ-ja, në bazë të propozimeve të ardhura nga partitë politike jo më vonë se 30 ditë para datës së zgjedhjeve. Ndërkohë që kryetari dhe sekretari i KQV-së zgjidhen nga KZAZ-ja.
Projekt vendimi i miratuar nga Komisioni Rregullator parashikon po ashtu edhe rastet e krijimit të vakancave para ditës së zgjedhjeve por edhe gjatë saj, detyrat që Komisioni i Qendrës së Votimit ka.
Një pjesë të vecantë mbajnë edhe sqarimet dhe përcaktimet e rregullave lidhur me identifikimin elektronik, që këtë vit aplikohet për herë të parë, që nga momenti i marrjes në dorëzim të paisjes, tek lidhja e tij me rrjetin, vënia në punë e përdorimi.
Sakaq procedura e zgjedhjes do të jetë e njëjtë.
Pas hyrjes së zgjedhësit në qendrën e votimit ai i paraqet komisionit dokumentin e identifikimit i cili ndryshe nga proceset e tjera zgjedhore këtë herë do të lexohet nga paisja PEI e identifikimit elektronik ku zgjedhësi do të vendosë edhe shenjat e gishtërinjve.
Vetëm pasi paisja ka dhënë dritën jeshile, votuesi mund të marrë fletën e votimit të vulosur dhe në dhomën e fshehtë ai mund të hedhë votën e tij me shenjën x ose + brenda kutisë së subjektit përkatës.
Në rastet kur PEI shfaq probleme të funksionimit, KQV merr vendim për pezullimin e votimit deri në momentin e riparimit apo zëvendësimit të paisjes.
Komisioni Rregullator ka miratuar edhe sanksionet në rast të shkeljes së dispozitave të Kodit Zgjedhor nga anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit. Kur nuk përbën vepër penale dënohet me gjobë nga 3,000 deri në 90,000 lekë. Shkelja e rregullave nga ana e sekretarit të KQV-së dënohet me gjobë nga 3,000 deri në 60,000 lekë ose me burgim deri në 6 muaj.
Qendrat e votimit do të hapen më 25 Prill në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00 dhe askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që janë në pritje për të votuar në kohën e mbylljes./rtsh























