Kryetari i Tuzit: Shqiptarët s’kanë përfaqësim në Qeverinë e Malit të Zi

Kryetari i Tuzit: Shqiptarët s’kanë përfaqësim në Qeverinë e Malit të Zi

Gjeloshaj: Shqiptarët s’kanë përfaqësim në Qeverinë e Malit të Zi

Qeveria e Malit të Zi nuk e gëzon mbështetjen e pakicave. Situata atje është mjaft e tensionuar nga dy blloqet, nga ai pro serb dhe tjetri pro perëndimor.

Në një intervistë për Demokracia.com, Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, deklaron se nuk mund të flitet për përfaqësim të shqiptarëve në Qeverinë e Malit të Zi. Ndërsa, për zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq, Gjeloshaj thotë se përveç që deklarohet se është shqiptar, nuk mund të thuhet asgjë më shumë. Për shqiptarët, kudo që jetojnë, ai thotë se ka shumë rëndësi bashkëpunimi dhe bashkëveprimi për të sjellë rezultate pozitive. Me kryeministrin e ri të Kosovës, Albin Kurtin, që me prejardhje është nga Mali i Zi, Gjeloshaj tregon se janë miq prej kohësh dhe ka besim se do ta udhëheq si duhet Kosovën drejt proceseve që i ka përpara. Nëse vazhdohet bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve, Gjeloshaj për Demokracia.com thotë se rajoni i Ballkanit do të ketë më shumë zhvillim dhe paqe më stabile.

Demokracia.com: Si është situata politike në Mal të Zi, pas ndryshimeve të qeverisjes 30 vjeçare të DPS-së?

Nik Gjeloshaj: Ashtu siç e dini edhe ju, Mali i Zi, është qeverisur për tridhjetë vite me radhë nga PDS-ja me aleatët e saj, të cilët janë thirrur në emër të vlerave të politikave qytetare, të mbështetur edhe nga pakicat, pra boshnjakët, shqiptarët dhe kroatët. Ky koalicion qeverisës është njohur edhe si koalicioni pro evropian, pro perëndimor apo edhe si koalicioni pro shtetit të Malit të Zi. Ajo që mund të them tani është se kjo qeverisje e tanishme, nuk gëzon mbështetjen e pakicave, pra të asnjërës nga pakicat. Ky mendoj se është treguesi kryesor i qeverisë aktuale që nuk ka ndodh më parë. Andaj, situata është mjaft e tensionuar nga të dy blloqet, sidomos pro serb ka ngritje të nacionalizmit në shoqëri. Po ashtu, blloku promalazez po tenton që të mbrojë vlerat e shtetit të mbështetura në opsionin promalazez dhe pro perëndimor.

Demokracia.com: A  kanë ndikuar linjat ortodokse në ardhjen e forcave pro-serbe në pushtet?

Nik Gjeloshaj: Në një masë të konsiderueshme po, sidomos ndikimi i kishës ortodokse serbe. Shteti i Malit të Zi është përpjekur, që ligjet e veta t’i konsolidojë konform atyre të Bashkimit Evropian. Nuk mund të them se implementimi i shumë ligjeve është bërë në mënyrën më të mire të mundshme, mirëpo nga ajo që po shikojmë edhe tani, Qeveria e kaluar ka gëzuar një besueshmëri më të madhe në rajon, në instancat euroatlantike, BE dhe SHBA. Ndoshta ky është vetëm shkasi për ardhjen e kësaj Qeverie në pushtet, sepse shkakun mund ta kërkojmë pikërisht te implementimi i ligjeve të BE-së, që ne si pakicë i kemi kërkuar me dekada. Pra, fjala është për vendet e rezervuara në Kuvendin e Malit të Zi, për shqiptarët, ngjashëm me atë për kroatët. Pra, një kujdes më i madh ndaj pakicave, në përgjithësi, do ta kishte ruajtur të njëjtin kurs për shtetin e Malit të Zi, por edhe do t’i kishte dhënë shtytje procesit integrues.

Demokracia.com: Në këtë qeveri është edhe një shqiptar. Cilat janë raportet dhe marrëdhëniet tuaja me Abazoviqin?

Nik Gjeloshaj: Po, siç dihet tashmë kur shqiptarët nuk janë pjesë e pushtetit, kemi një nënkryetar qeverie që vjen nga radhët e një partie qytetare, mirëpo përveç se deklarohet se është shqiptar, nuk mund të thuhet asgjë më shumë, pra nuk mund të flitet për përfaqësim të shqiptarëve në këtë Qeveri. Ndërsa, sa u takon marrëdhënieve, kemi marrëdhënie korrekte. Unë e kam uruar Z. Abazoviq në postin e tij, e kam ftuar në vizitë dhe ai i është përgjigjur ftesës. Ne si komunë, pra si vetëqeverisje lokale, kërkojmë bashkëpunim edhe më të madh, sepse na obligojnë institucionet, bashkëpunimi ndërinstitucional, na obligon ligji dhe unë si kryetar, sa i takon ligjit dhe implementimit të tij, jam decid. Pra, në rrugë zyrtare dhe ligjore, mendoj se bashkëpunimin e kemi në rregull.

Demokracia.com: Ndërkohë, situata me Covid-19 po bëhet dramatike në Mal të Zi. Ju i keni kundërshtuar masat si Komunë e Tuzit, me arsyetimin se jeni të diskriminuar. A ndjeheni edhe më tutje të diskriminuar?

Nik Gjeloshaj: Kjo lidhet edhe me pyetjen më lart, pra përherë kur shkelet ligji, kur tejkalohen kompetencat, kur nuk ka profesionalizëm, unë nuk jam dakord dhe këtë e shprehi publikisht. Mendoj se ishte më së normale që t’i tërhiqej vëmendja kryeministrit dhe Qeverisë për një vendim anti-ligj, dhe të pabazuar. Kapërcimi i komunikimit, i bashkëpunimit nuk është i mirë dhe të lë përshtypje se dikush ka qëllim të të trajtojë jo si pjesë të shtetit, por si diçka ndryshe. Pastaj, reagimi i bizneseve, i qytetarëve ishte ai që ishte dhe të them të drejtën, unë jam zgjedhur për t’i përfaqësuar ata, por edhe për t’i mbrojtur. Ne nuk kemi kundërshtuar, nëse shikohet në parim, por ne kemi ftuar në kompromis, në rishikim të vendimit, dhe protesta e qytetarëve ishte reagim i rastit, pasi ishin forcat e rendit ato që kishin marrë situatën në kontroll. E theksoj se, në vend që në terren të ishin inspekcionet përkatëse, ishin forcat policore, gjë e cila i irritoi qytetarët dhe i bëri të reagojnë. Herë pas here po sillen vendime që të bëjnë të dyshosh për diskriminim.

Demokracia.com: Jeni paraqitur në gjyq, a ka ndonjë vendim?

Nik Gjeloshaj: Jam paraqitur në gjyq, sepse unë e thashë më lartë, unë e respektoj ligjin dhe mendoj se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Vendimi i gjyqit mund të ketë edhe befasi, nëse zbatohet ligji nuk do të ketë probleme, sepse e vërteta dihet e gjitha dhe nuk kam as drojën më të vogël lidhur me këtë proces. E përsëris që nëse është nevoja përsëri do të dalë në mbrojtje të qytetarëve të komunës.

Demokracia.com: Keni një diasporë të madhe në SHBA. Sa jeni të kënaqur me përkrahjen që vjen nga lobimi i tyre?

Nik Gjeloshaj: Diaspora e Malësisë, pra, që vjen nga Komuna e Tuzit, është një diasporë që me  veprimtarinë e saj ose fuqinë e vet e ka treguar në të gjitha proceset që lidhen me shqiptarët, kudo e kurdo që ata kanë pasur nevojë. Në numër nuk është e vogël, nëse e krahasojmë nga ku kanë dalë dhe për të ditur numrin e saktë, Zyra për Diasporë e Komunës së Tuzit, së shpejti do të implementojë aplikacionin për regjistrimin e malësorëve kudo që ata jetojnë, jashtë Malësisë, pra jashtë Komunës së Tuzit. Lobimi i tyre, mbështetja pa rezerva ndaj Komunës së Tuzit, në të gjitha proceset, prej kërkesës për Komunë e deri në votime, pastaj gjatë pandemisë e deri në ditët e sotme, është e pazëvendësueshme. Mendoj se së bashku, mund ta bëjmë komunën tonë, një vend ku ata të investojnë dhe pse jo, të kthehen për të jetuar.

Demokracia.com: Në Kosovë tash e kemi një kryeministër që prejardhjen e ka nga Mali i Zi. A mund të jetë kjo ndihmuese për sensibilizimin gjithëshqiptar të problemeve tuaja?

Nik Gjeloshaj: Ajo që mund të them, pa asnjë mëdyshje është se nga Kosova ne kemi gëzuar përkrahje maksimale, prej kohësh, që prej studentëve të parë që janë regjistruar në normalet dhe më pas në Universitetin e Prishtinës. Mendoj se nuk luan rol të madh, nëse në krye të shtetit të Kosovës është një shqiptar si gjithë të tjerët, përveç se ka lindur jashtë saj. Unë, personalisht, me Albinin kam një marrëdhënie shumë të afërt, jemi miq prej kohësh dhe kam besim se ai do të udhëheqë si duhet Kosovën drejt proceseve që i ka përpara. Nuk është e lehtë në këtë kohë të jesh kryeministër i një shteti ballkanik, e aq më pak Kosovës, mirëpo, te Albini kam besim, sepse besoj të aftësitë e tij. Ajo që ka rëndësi për shqiptarët, është se së fundmi kemi gjetur një gjuhë bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe kjo ka sjellë edhe rezultate pozitive. Mendoj se nëse vazhdohet ky bashkëpunim, nëse thellohen këto bashkëpunime, rajoni i Ballkanit do të ketë më shumë zhvillim dhe një paqe stabile.

Demokracia.com: Ishit në takim në Lezhë me Kurtin dhe pjesëtarë të partive shqiptare nga rajoni, por aty nuk ishte Rama. Sa ndikon një përçarje potenciale ndërmjet krerëve shtetërorë të Kosovës dhe Shqipërisë në situatën politike të shqiptarëve në Mal të Zi?

Nik Gjeloshaj: Ne ishim te monumenti i kryeheroit të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në një ditë të veçantë për kombin shqiptar dhe mendoj se ndoshta dikush do të donte ta lexonte në atë mënyrë, ose ta interpretonte ashtu këtë veprim, mirëpo mendoj se sot jetojmë në shekullin 21, ku cilido qytetar, pa marrë parasysh postin që ka, mund të shkojë për t’i dhënë nderime kryeheroit, pa i ngelur hatri dikujt tjetër. Mendoj se shqiptarët nuk kanë arrit në atë nivel sa të provokohen nga njëri-tjetri, sepse nuk është në natyrën tonë kjo. Pra, e theksoj se unë nuk shikoj përçarje këtu. Skënderbeu është i të gjithë shqiptarëve pa dallime se ku jetojnë.

Demokracia.com: Komuna e Tuzit për herë të parë po udhëhiqet nga shqiptarët. Sa keni arritur ta përmirësoni gjendjen e komunitetit shqiptar në Tuz, gjatë kësaj periudhe kohore?

Nik Gjeloshaj: Po, është hera e parë që kemi fituar dy procese radhazi. I pari, votimi i Komunës në Parlamentin e Malit të Zi, përmes deputetit tonë, e më pas edhe fitorja e madhe shqiptare për ta qeverisur atë më 3 mars të vitit 2019. Do të ishte një absurditet i madh që forcat të cilat luftuan për ta sjellë komunën, e dihet se ishin vetëm partitë shqiptare, të mbeteshin opozitë. Mendoj se sa i takon menaxhimit, jemi në rrugën e duhur. Pas një viti kemi dyfishim buxheti, ndërsa realizimin e buxhetit të kaluar e kemi në 103%, çka tregon se jemi në rrugë të mirë. Investimet kapitale kanë prekur të gjitha zonat dhe janë në pritje projekte që do të vazhdojnë të përmirësojnë infrastrukturën në përgjithësi në Komunë të Tuzit. E ajo që më gëzon më së shumti, janë investitorët dhe investimet që së shpejti do të bëhen realitet, e të cilat do t’i japin një frymëmarrje edhe ekonomisë së vendit. Dua të theksoj se pengesë të madhe na shkakton procesi i ngadaltë i ndarjes territoriale dhe të pasurisë me Podgoricën, mirëpo nuk kemi ngecur as në këto procese, sepse jam shumë i vendosur në mbrojtjen e interesave të qytetarëve në çdo aspekt.


MË SHUME NGA Intervista