Zgjedhjet e 25 prillit ende pa fletë votimi
Komisioni Rregullator i Zgjedhjeve shtyu vendimmarrjen për sa i përket modelit të fletës së votimit përmes së cilës, më 25 prill, qytetarët do të zgjedhin subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi i paraqiti Komisionit variantet dy me emra të kandidatëve për deputetë dhe një variant pa emra, por numra.
Mirëpo në rreth dy orë diskutime anëtarët e Komisionit patën qëndrime të ndryshme kryesisht për sa i përket kompetencës së vendimmarrjes dhe jo varianteve të propozuara, njofton euronews.albania.
Gjatë diskutimit Celibashi tha se për shkak se numri i kandidatëve është i ndryshëm për çdo qark – në qarkun e Tiranës, Gjirokastrës, Lezhës dhe Dibrës ka gjithashtu kandidatë të pavarur, – vendimi për fletët “të jetë i veçantë për çdo qark”.
Nga akt-propozimi i Celibashit nuk pati një propozim konkret se cila nga variantet mund të ishte më e përshtatshmja. Në fakt më 23 mars KQZ pati nxjerrë për votim në rrjetet sociale katër variante fletësh votimi, nga të cilat me 75% dhe 79% qytetarët parapëlqyen variantet me emra të kandidatëve.
Anëtarja e Komisionit Rregullator Helga Vukaj, nxori si problem faktin se Celibashi nuk kishte paraqitur një version konkret me akt-propozimin e tij se cilin version propozonte. Ajo theksoi se “është e dukshme se cilin variant parapëlqejnë shqiptarët”.
Pas debateve që përfshinë edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, Celibashi u shpreh se do ta ri-sillte akti-propozimin me propozim konkret.
“Po e tërheq për ta ri-sjellë për propozime konkrete,” – tha Celibashi duke shtuar se me propozimin e ri do të përfshinte të gjitha propozimet dhe diskutimet e bëra.























