Rama: 24 orë ujë në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë brenda 2022
Kryeministri i Shqipërisë, njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama inspektoi sot ujësjellësin e ri të Vaut të Dejës, ku u tha se pas 50 vitesh me 2 orë ujë në ditë ose hiç fare gjatë verës, tashmë ujësjellësi i ri me 22.6 kilometra rrjet shpërndarës, çon 24 orë ujë në shtëpitë e kësaj zone.
Ky investim i qeverisë shqiptare kap vlerën e 1.5 milionë dollarëve. Në këtë vizitë, u tha se afati i kryerjes së këtij investimi ishte për 3 vite dhe punimet kanë përfunduar për 14 muaj.
Rama deklaroi se brenda vitit 2022 do të përfundojnë të gjitha projektet e investimeve që garantojnë 24 orë ujë në të gjitha zonat urbane të Shqipërisë, ndërsa u shpreh se deri më 2023 edhe Tirana, si një nga zonat më komplekse, do të ketë ujë 24 orë.
“Objektivi është i qartë. Ne jemi në gjendje sot të themi me plot gojën se në të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë do të kemi 24 orë ujë brenda 2022 dhe Tirana do të ketë 24 orë ujë midis vitit 2022-2023, sepse është më komplekse, kështu që uji është hera e fundit që është temë fushatash elektorale sepse përfundimisht do ketë 24 orë për të gjitha qendrat urbane. Në zonat ku nuk ka pasur ujë 24 orë as në kohën e komunizmit, do zgjidhet një herë e mirë kjo punë, është gjëja më e sigurt”, tha Rama.
Investimet në ujësjellës i ka mirëpritur deputeti i kësaj zonë, Ilir Beqaj, i cili tha se ujësjellësi i vjetër i Vaut të Dejës ishte totalisht i amortizuar dhe ishte ndërtuar në vitet 1965-1970 dhe kishte shumë humbje në rrjet.
Ai nënvizoi se javës tjetër fillon po në këtë bashki investimi në ujësjellësin e Mjedës, i cili shërben për 1700 familje të tjera dhe me këto dy ujësjellës zgjidhen rreth 60%-70% të nevojave të gjithë bashkisë së Vaut të Dejës.























