KQZ vendos,Celibashi: Modeli me emrat e kandidatëve, në përputhje me ligjin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sërish paraditen e sotme për të vendosur lidhur me modelin e fletës së votimit që do të përdoret në zgjedhjet e 25 prillit.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka propozuar modelin e fletës së votimit me emra të kandidatëve në vend të asaj me numra.
“Kemi konsideruar si më të përshtatshme fletën e votimit që do të përmbajë emrat e kandidatëve, është më shumë në përputhje me ligjin”, mësohet të ketë shprehur kryekomisioneri i Zgjedhjeve gjatë mbledhjes së sotme të KQZ.
Fleta do të jetë e formatit A3 dhe me përmasa të ndryshme për çdo qark, në varësi të numrit të kandidatëve për deputetë. Pas miratimit, i hapet rrugë, printimit të fletëve dhe materialeve zgjedhore, pasi nga dita e votimit na ndajnë vetëm 23 ditë, njofton euronews.albania.
Edhe gjatë mbledhjes së KQZ të mbajtur një ditë më parë, Celibashi paraqiti projektvendimin me modelin e fletës së votimit që do të përdoret në 25 prill. Në modelin e paraqitur në projektvendim, fleta e votimit përmban emrat e partive dhe emrat e kandidatëve për deputetë.























