23:12 / 03.04.2021
Seanca për presidentin do të vazhdojë të dielën
Ka dështuar edhe votimi i përsëritur i raundi të parë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, pasi vetëm 79 deputetë morën pjesë në votim.
Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës, seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, është shtyrë për të dielën. “Seanca do t’i vazhdojë punimet nesër, më 4 prill në orën 17:00”, tha kreu i kuvendit, Glauk Konjufca.
Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.
Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se seanca do të fillojë nesër në orën 17. Në garë për president janë Vjosa Osmani-Sadriu dhe Nasuf Bejta.























