Bajrami: Dita e Kushtetutës, ditë falënderimi ndaj dëshmorëve e martirëve
BKT
Lajme

Bajrami: Dita e Kushtetutës, ditë falënderimi ndaj dëshmorëve e martirëve

Sot bëhen 13 vjet prej miratimit të Kushtetutës së Kosovës. Njëri prej hartueseve kryesor të kësaj Kushtetute, profesori Arsim Bajrami tha se Dita e Kushtetutës është një ditë falënderimi ndaj dëshmorëve dhe martirëve që luftuan për Kosovën.

“Ata në fakt kanë luftuar dhe kanë rënë për pavarësi, për shtet dhe Kushtetutë të Kosovës. Nga viti 68 në të gjitha demonstratat e organizuar nga shqiptarët gjithmonë si parullë apo kërkesë ka qenë krahas liri dhe pavarësi edhe Kushtetutë. Populli i Kosovës përmes Kushtetutës e ka menduar se do të realizoi idealin e lirisë dhe pavarësisë”, tha ai në emisionin e mengjesit në RTK.

Duke kujtuar përgatitjet për miratimin e Kushtetutës e Kosovës,  Bajrami tha se ishin momentet më emocionale sepse lindte shteti i Kosovës.” Ishim të gjithë dëshmitarë të lindjes së shtetit të Kosovës, të një kauze kombëtare për të cilën luftuan gjyshërit, stërgjyshërit tanë, ishin momente emocionale sepse ne e dinim se ishte vetëm çështje momenti kur ne do të miratojmë fillimisht Deklaratën e Pavarësisë me 17 Shkurt. Kishim bërë gati dy vite më parë përgatitjen e Kushtetutës së Kosovës në mënyrë që menjëherë pasi të shpallet pavarësia në Kuvendin e Kosovës të jetë gati edhe Kushtetuta që në një mënyrë do të mundësonte procesin e shtetndërtimit dhe që kjo datë pastaj në kalendarin e festave shtetërore ka hyrë si festa e dytë shtetërore", tha ai.

Sipas tij, Kosova ka një parahistori kushtetuese. ”Sa ishte Krahinë autonome dhe pas demonstratave të '68 ne kishim ligjin kushtetues në '69, pastaj miratuam Kushtetutën e vitit 74 , pastaj Kushtetutën e Kaçanikut dhe pas hyrjes së NATO-s në Kosovë ne miratuam Kornizën Kushtetuese,” shtoi ai.   

Profesori i së Drejtës Kushtetuese tha se Kushtetuta jonë ka dalë nga një proces i vështirë i negociatave në Vjenë. “ Lufta më e madhe për këtë Kushtetutë është bërë në Vjenë ku është dashur të negociojmë dhe aneksi  i parë i Pakos së Ahtisarit, aneksi për dispozitat kryesore kushtetuese dhe mund të them se gati një e treta e Kushtetutës sonë ka dalë nga Plani i Ahtisarit”, shtoi ai.

Bajrami tha se Kushtetuta  e Kosovës është më sepecifike sepse ka dalë nga kompromiset, përpos që e shpall shtetin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur, si shtet demokratik, unik dhe të pandashëm, ajo përmban edhe kompromise sa i përket të drejtave të pakicave, sidomos trajtimit të serbëve me një diskriminim pozitiv me qasje afirmative dhe të drejta që nuk i jep asnjë Kushtetutë .

Kushtetuta e Kosovës u miratua më 9 prill të vitit 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të atij viti.

 


MË SHUME NGA Lajme