Mbi 13 mijë kosovarë ia mësynë dje Shqipërisë

Mbi 13 mijë kosovarë ia mësynë dje Shqipërisë

Edhe sot në orët e hershme të mëngjesit raportohet nga mediat për kolona të gjata të kosovarëve që po presin në kufi me Shqipëri.

Mbi 13 mijë kosovarë vetëm dje kanë kaluar kufirin Vërmicë-Morinë, për të kaluar vikendin në shtetin shqiptar, e ku shumica e kosovarëve pushojnë pranë bregdetit.

Arsyeja më e madhe e shkuarjes drejt Shqipërisë ishin masat kufizuese që janë vendosur në Kosovë.

Qytetarët deklaruan se ata janë duke shkuar në shtetin fqinj pasi munden të frekuentojnë kafenetë dhe restorante, pasi në Kosovë janë të mbyllura.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbylljen e gastronomisë dhe qendrave tregtare për 12 ditë, pas rritjes së rasteve me COVID-19, gjatë javëve të fundit.

Për ata që duan të kalojnë kufirin me Shqipërinë ose anasjelltas, aktualisht nuk ka ndonjë masë ndaluese apo kërkesë për tu pajisur me test negativ PCR.

Shqipëria javëve të fundit ka shënuar rënie të vdekjeve dhe rasteve të reja si pasojë e COVID-19 derisa në Kosovë ato janë rritur dukshëm.