Rama nga Përrenjasi: Shqipëria do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë
BKT
Shqipëri

Rama nga Përrenjasi: Shqipëria do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë

Kryeministri Edi Rama ndodhet këtë mesditë në Përrenjas, ku po zhvillon një takim elektoral me qytetarë të kësaj zone.

Zoti Rama iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste, pasi sipas tij, vetëm kështu Shqipëria do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë dhe do të ngjitet në një nivel tjetër. "Shqipëria do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë dhe do të ngjitet në një nivel tjetër. Dje një gazetar më thoshte se janë shumë 4 aeroporte, janë tepër, janë kot, për madhësinë dhe popullsinë që ka Shqipëria. Në fakt kjo është e pavërtetë. Kroacia ka 9 aeroporte me 4 milionë banorë. Të jeni të bindur miqtë e mi se ndarja është shumë e qartë, mes atyre që tjetër thonë e tjetër bëjnë, dhe atyre që bëjnë atë që thonë dhe thonë atë që bëjnë. Këta të fundit jemi ne, Partia Socialiste e Shqipërisë. Çdo njeri duhet ta di sot se ndërkohë që tjerët flasin për BE, si një destinacion, bujqësia jonë, sektori i prodhimit, i përpunimit, i grumbullimit, brenda gjithë sektorit të bujqësisë, janë tanimë pjesë e angazhimit me BE. Vetëm në dy vitet e fundit janë 120 milionë të investuara në fshat për pika grumbullimi e përpunimi. Të gjitha këto janë bërë me qeverinë shqiptare" theksoi zoti Rama.
Mes të tjerash, kryeministri foli dhe për largimin e të rinjve nga Shqipëria, duke thënë se nuk është mëkat që ata ikin, por është shumë e rëndësishme që kur largohen, ata të kenë edhe shkollim, në mënyrë që të gjejnë punë atje. Për këtë arsye, ai kujtoi reformën në arsim, ku tha se nuk ka pasur asnjë ankesë, dhe ku sipas tij, investimi që bëjnë prindërit për fëmijët e tyre nuk shkon më dëm.“Unë dëshiroj e do të bëjë çmos në vitet që kemi përpara për të sjell universitetet e huaja në Shqipëri. Për t’i integruar me universitet tona, për të bërë të mundur që vajzat dhe djemtë të këtij vendi, të mos kenë nevojë të ikin jashtë vendit për të shkuar në një universitet të huaj, por ta gjejnë atë universitet këtu në Shqipëri. Të studiojnë me programet e atij universiteti dhe të marrin një diplomë nga ai universitet, kjo është plotësisht e mundur dhe këtë do ta bëjmë së bashku. Prandaj fëmijët e prindërit, vajzat e djemtë që duan të kenë një perspektivë për të studiuar këtu në nivelet më të larta të studimeve të shkollimit me cilësinë më të mirë, më 25 prill nuk duhet të thonë, varja se këta janë të gjithë njësoj.  Po të ishim ne të gjithë njësoj, edhe Shqipëria sot do ishte njësoj”,- vijoi kryeministri Rama./RTSH


MË SHUME NGA Shqipëri