Kandidatët me probleme në garë për 25 Prillin, Yuri Kim: SPAK nuk ka kurajo

Kandidatët me probleme në garë për 25 Prillin, Yuri Kim: SPAK nuk ka kurajo

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, deklaroi mbrëmjen e djeshme se SPAK-ut, institucionit ku i kanë sytë shqiptarët për të vendosur drejtësinë, i mungon kurajo.

KQZ i dërgoi prokurorisë 30 kandidatë për deputetë për verifikim, ndërsa referuar rastit të Tom Doshit, ambasadorja tha në “RTSH” se që informacioni se përse është shpallur “non gratra” është gjerësisht në dispozicion, por shtoi se SPAK-ut i mungon kurajo për të vepruar.

Përgjigja e ambasadores amerikane

Kur takoheni me drejtues politikë siç ndodhi në Elbasan apo qytete të tjera, çfarë ju thonë?

Ambasadorja Kim: Më thonë se zgjedhjet janë të rëndësishme për ta. Që po punojnë fort. Dhe pastaj më tregojnë për shqetësimet që kanë për palën tjetër dhe iu them se duhet të merren me veten në fillim dhe pastaj të lejojnë ekspertët të merren me të tjerët. Kam ndjesinë se njerëzit e morën seriozisht – me njerëzit kam parasysh partitë politike – morën në konsideratë këshillat që iu kemi dhënë për rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe, sinqerisht, kriminelët më të dukshëm nuk janë përfshirë por, a ka emra shqetësues? Po, ka.

Mund t’i përmendim? 

Ambasadorja Kim: Zëvendës Ndihmës Sekretari Matt Palmer ishte këtu virtualisht javën e kaluar dhe bëri të qartë që ka emra që përbëjnë shqetësim. Ata e dinë kush janë. Drejtuesit politikë e dinë kush janë. Ne i kemi shprehur mendimet. Në fund, ka një proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i shohë dhe tani kanë referuar 30 emra tek prokurorët për informacion shtesë dhe, në varësi të asaj që do të dalë në fund në fletën e votimit, votuesit do të kenë mundësinë këtë radhë sepse është listë e hapur, për të vendosur se kush duhet t’i përfaqësojë. Ju pyetët për emra. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta për 3 emra. Nuk e bëjmë lehtë këtë; merr vite të tëra kërkim; një pjesë e informacionit është në dispozicion dhe të gjithë e dinë; një pjesë e informacionit është e klasifikuar dhe nuk mund ta diskutoj, por mund të them që është shumë serioz dhe Sekretari i Shtetit nuk e vendos emrin e tij/saj lehtë në këto përcaktime që bën.

Kur flisni për emrat, dhe informacionin në dispozicion, pyetja është: Ky informacion – një pyetje retorike kjo – është në dispozicion të prokurorëve apo SPAK-ut apo ligjzbatuesve të tjerë?

Ambasadorja Kim: Mendoj që informacioni është gjerësisht në dispozicion.

Çfarë mungon?

Ambasadorja Kim: Ajo që mungon është – të jem e ndershme – ajo që mungon është kurajo. Dhe mendoj se kemi pasur raste kur është treguar kurajo. Mendoj se duhet të shohim më shumë.

Kam besim që investimi i Amerikës tek reforma në drejtësi, tek SPAK, do t’ia vlejë por ky është një moment i vështirë. Siç e them shpesh, reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur por po fillojmë të shohim rezultate.

SPAK ka nxjerrë raportin e parë vjetor dhe deri tani kanë raportuar se kanë bërë 588 ndjekje penale, kanë konfiskuar pasuri me vlerë 70 milionë euro. Kanë hetuar 746 individë. Kanë dërguar shumë prej tyre në gjykatë dhe 114 janë dënuar deri më sot./ Abcnews.al