Kosova drejt miratimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë

Kosova drejt miratimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë

Kosova drejt miratimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kosova shumë shpejt mund të bëhet me ligj për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Miratimi i këtij ligji ishte premtim elektoral i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje. Për këtë, Qeveria Kurti, në mbledhjen e djeshme miratoi koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, që i hap rrugë hartimit të ligjit. Ekspertë të drejtësisë pohojnë se një ligj i mirë për konfiskimin e pasurisë mund të japë rezultate. 


Premtimi elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje, për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ka filluar të marrë formë në praktikë. Të martën e 13 prillit, Qeveria miratoi koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, që i hap rrugë hartimit të ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, me të cilin, sipas ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu, synohet luftimi i korrupsionit. 
 “Siç jeni në dijeni, baza aktuale ligjore nuk ka qenë efikase në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për shkak të mungesës së vullnetit përbrenda institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë dhe së dyti, për shkak se aktualisht duhet të hetohesh për një vepër penale, të gjykohesh e dënohesh, e pastaj të nisin procedurat për konfiskimit të pasurisë”, tha Haxhiu. 


Edhe Juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pohon se Kosova aktualisht ka kornizë ligjore që mundëson konfiskimi e pasurisë, por që, në mungesë të zbatimin e ligjit, rezultatet janë të vogla. Miftaraj, tutje pohon se është me rëndësi që ministria e drejtësisë të punojë një ligj sa më të mirë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.


 “Për qytetarët e Republikës së Kosovës sigurisht se është një çështje shumë e rëndësishme që të gjithë atyre që janë pasuruar pa bazë, t’u konfiskohet pasuria dhe t’i kthehet shtetit. Një iniciativë e tillë ligjore do të duhej të behej në bashkëpunim të plotë me partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile, në mënyrë që të gjenden modalitetet më të mira të zbatimit të ligjit në praktikë”, tha ai.   


Juristi Miftaraj, mes tjerash pohon se është më rëndësi që në ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, që pritet të miratohet, t’i kushtohet rëndësi ruajtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe respektimit në plotëni të sigurisë juridike. 

 

Autor: Pajtim Çuni, Radio Kosova


MË SHUME NGA Aktuale