PD fushatë në Pogradec, Basha: 8 vitet e dështimit do marrin fund
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ndali turin e tij dje në Pogradec.
Ai u prit nga përkrahës dhe simpatizantë të PD-së, me duartrokitje.
Gjatë fjalës së tij, lideri demokrat tha se për 8 vite, qyteti liqenor vuan braktisjen nga të rinjtë dhe korrupsionin.
“Pas 8 viteve të gjata dështimesh, pas 8 vitesh të gjata vuajtjesh, 8 vite kur një liqen i tërë me lotët e nënave dhe baballarëve është mbushur dhe është zbrazur disa herë nga zemrat e plagosura edhe dhimbja prej emigracionit, prej korrupsionit që varfëroi të gjithë shqiptarët për të pasuruar një njeri dhe një grusht njerëzish. E pra 8 vite të gjata vuajtje. Tani po i afron fundi”, u shpreh Basha.
Kreu i Demokratëve ftoi pogradecarët që të votojnë numrin 9, duke shtuar se dita e ndryshimit dhe fitores po afron, njofton euronews.albania.
“Dita e ndryshimit po afron. Dita e fitores po afron. Për çdo shqiptar, për gjithë ju vëllezër e motra, për të gjithë pa përjashtim, të djathtë e të majtë, që më 25 prill me kokën lartë dhe zemrat plot besim do të shkojnë drejt kutive të votimit për të votuar për ndryshimin, për të votuar numrin 9”, tha më tej kryedemokrati.
Për Bashën, misioni i Edi Ramës ka përfunduar, dhe sipas tij, ndryshimi që kërkon populli shqiptar do të bëhet realitet në drejtimin e Partisë Demokratike.























