Anglezi Simons rikërkon të dalë në Parlament për skandalet e Eulex-it
Driton Selmanaj, deputet i LDK sërish ka shfaqur rezerva për raportimin e ish gjytarit të Eulex para parlamentit të Kosovës. Data nuk është caktuar edhe pse Simons do të dëshmojë për manipulimin e gjyqeve ndaj ushtarëve të UÇK nga Eulex dhe shumë skandale tjera politike kundër Kosovës.
Ish Kryetari i Asamblesë të Gjyqtarëve të EULEX-it Malkolm Simons përmes Avokatit të autorizuar Artan Çerkini ka përsëritur kërkesën e tij për Komisionin e Legjislacionit në Kuvendin e Kosovës.
Simons kërkon të raportojë për keqpërdorimet dhe shkeljet e rënda gjatë proceseve gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera brenda Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë.
Avokati i autorizuar i ish gjyqtarit Simons Artan Çerkini, beson se Komisioni për Legjislacion shpejt do ta trajtojë këtë kërkesë dhe do ti japë datat për dëgjimin e Simons.
Në mbledhjen që u mbajt të hënën nga Komisioni i Legjislacionit, u shqyrtua dhe u diskutua prapë kërkesa e njëjtë, ku deputeti i PDK-së Hajdar Beqa kërkoi nga Kryetari i Komisionit Adnan Rrustemi i Vetëvendosje, që kërkesa e Simons të shpërndahet edhe tek anëtarët e tjerë të Komisionit.
Kreu i komisionit Adnan Rrustemi deklaroi se partia e tij ka qëndrim të njëjtë sa i përket dëgjimit të Simons. Sipas tij, ata do ta shqyrtojnë kërkesën brenda ditëve të ardhshme.
Deputeti nga LDK Driton Selmanaj tha se Komisioni duhet të ketë kujdes në adresimin e kësaj çështje pasi mund të dalin jashtë mandatit që e kanë.
"Komisioni për Legjislacion mund të mos jetë vendi i duhur për të adresuar çështje të tilla, për njerëz që e kanë bo punën apo nuk e kanë bërë punën si duhet. Ai tutje tha se ky raportim mund të ketë arsye tê ndryshme, qoftë për të provuar për tu shpërlarë personalisht "Pse nuk kanë punuar apo si kanë punuar apo diçka tjetër. Gjithsesi nuk mund të shndërrohemi në një instancë gjyqësore ose nuk mund të shndërrohemi në një instancë kuazi gjyqësore ”, ka thënë Selmanaj.
Selmanaj shtoi se Simons e kishte bërë të njejtën kërkesë edhr në korrik të vitit 2020 por kjo kërkesë ishte shqyrtuar pas katër muajsh. Për këtë vonesë ish anëtarët e Komisionit e kishin akuzuar ish kreun e Komisionit të Legjislacionit nga LDK Shkëmb Manaj se e kishte fshehur kërkesën.
Në vijim Ish Kryetari i Asamblesë të Gjyqtarëve të EULEX-it Malkolm Simons iu është kundërpërgjigjur Komisionit të Legjislacionit në lidhje me kërkesën e tij, duke parë se ka sygjerime që Parlamenti i Kosovës nuk ka juridiksion apo mandat për të rishikuar mënyrën e administrimit të drejtësisë nga Misioni i BE-së në Kosovë. Unë nuk pajtohem me këtë!
Unë jam dërguar nga Zyra e Jashtme dhe e Komonueltit e Mbretërisë së Bashkuar në Misionin e EULEX-it. Emërimi im u konfirmua nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe unë u emërova zyrtarisht nga Presidenti i Kosovës. Më pas unë kam shërbyer si gjykatës në gjykatat e Kosovës. Unë kam qenë i përfshirë në administrimin e drejtësisë në Kosovë si President i Gjyqtarëve të EULEX-it dhe si anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Rastet të cilat unë dhe kolegët e mi gjyqtarë të EULEX-it i kemi kryesuar, kanë përfshirë qytetarë të Kosovës dhe vepra penale të kryera në Kosovë. Më e rëndësishmja, gjykatësit e EULEX-it kanë administruar me drejtësinë në emër të popullit të Kosovës. Prandaj, mendoj se populli i Kosovës ka të drejtë të hetojë se si është administruar drejtësia në Kosovë në emrin e tyre.
EULEX-i është një mision politik me objektiva të qarta politike. Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it ishin një mjet për të arritur ato objektiva politike. Ajo që nuk mund të arrihej me dialog politik do të arrihej përmes një procesi të çoroditur gjyqësor të mbikëqyrur nga një organizatë politike e maskuar si mision për sundimin e rendit dhe ligjit.
Provat që unë kam për ti dhënë kanë të bëjnë me manipulimin e gjykimeve kriminale, disa prej tyre përfshijnë edhe politikanë të profilit të lartë. Të akuzuarit nga EULEX-i përfshinin persona në të gjithë spektrin politik.
Qeveria e re e Kosovës ka shprehur një dëshirë, të mbështetur nga populli i Kosovës, për të promovuar drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Ka ardhur koha për të shqyrtuar gabimet e së kaluarës dhe për të ecur përpara. Tani është çështje e Parlamentit të Kosovës nëse dëshiron të më ftojë për të dhënë dëshmi thotë Simons.























