Kryemadhi: Bashkëpunimi me PD i domosdoshëm për të çuar vendin përpara

Kryemadhi: Bashkëpunimi me PD i domosdoshëm për të çuar vendin përpara

Në Shqipëri, një intervistë për Zërin e Amerikës kryetarja e Lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, flet për premtimet e kësaj force politike në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, marrëdhënien me Partinë Demokratike me të cilën ajo ka firmosur një marrëveshje për bashkëqeverisje apo dhe qëndrimin ndaj Reformës në Drejtësi e procesit të vaksinimit kundër Covid 19.

Zëri i Amerikës: Po ju megjithatë keni një marrëveshje me Partinë Demokratike për bashkëqeverisje. Ju po flisni me shumë entuziazëm për këtë pikë të programit tuaj, por si do integrohet programi juaj me atë të Partisë Demokratike? Cilat janë pikat për të cilat ju nuk do të lëshoni?

Monika Kryemadhi: "Sigurisht që jemi rakorduar dhe kemi rënë dakord.

Ndërkohë që për të gjitha këto 5 prioritete, për të cilat ne i kemi quajtur të qarta që janë 5 prioritete të panegociueshme, normalisht që janë të realizueshme dhe nuk kanë asnjë lloj përplasjeje me angazhimet e Partisë Demokratike. Ashtu sikurse, edhe në marrëveshjen e 1 marsit që ne kemi firmosur me Partinë Demokratike, janë edhe 13 pika të tjera, për të cilat ne jemi angazhuar bashkarisht politikisht të dy kryetarët e partive në emër të forcave politike që ne përfaqësojmë."

Zëri i Amerikës: Kaq e lehtë është mes jush që të kaloni nga akuzat e forta ndaj njëri – tjetrit në bashkëpunim, sepse kujtoj fushatën e 2017-s ku si PD ndaj jush, por edhe ju ndaj Partisë Demokratike dhe zotit Basha, keni pasur polemika të forta, qoftë edhe akuza?

Monika Kryemadhi: "Të dyja rastet, qoftë për njërën palë, qoftë për palën tjetër, unë si Monikë personalisht nuk kam asnjë lloj tërheqjeje për atë që them. Akuzat e mia për zotin Basha vazhdojnë të jenë përsa i përket marrëveshjes së 2017-s dhe e dimë, ne jemi koshient që, në qoftë se LSI e solli Edi Ramën në 2013-n në pushtet me idenë që ishte koha e tij, sepse në fund të fundit ishte kryetari i Partisë Socialiste dhe i takonte Partisë Socialiste të drejtonte në atë kohë, në 2017-n ishte zoti Basha që e mbajti zotin Rama kryeministër, kështu që, qoftë LSI-ja apo qoftë PD-ja me djegien e mandateve i vunë vizën një lloj bashkëpunimi politik, që në shumicën e rasteve bashkëpunimi politik edhe për shkak të kulturës evropiane apo edhe të kulturës së politikës ndërkombëtare në vendet e zhvilluara, bashkëpunimi politik është një domosdoshmëri e cila e çon zhvillimin përpara."

Reforma në drejtësi, Kryemadhi: Nuk ka nevojë për asnjë ndryshim, thjesht të zbatojmë atë që kemi miratuar në 21-22 korrik të 2016, u firmos nga Venencia

Zëri i Amerikës: Znj. Kryemadhi, reforma në drejtësi mbetet një temë kryesore diskutimesh, debatesh. Ju vetë jeni shprehur kritike ndaj mënyrës së zbatimit të kësaj reforme, por në rast se ju bashkë me Partinë Demokratike do të vini në pushtet, çfarë mendoni se duhet rregulluar ose ju mendoni që nuk është zbatuar si duhet, atëherë çfarë duhet bërë, çfarë duhet korrigjuar sipas jush?

Monika Kryemadhi: "Ndoshta duhet ta kthejmë pyetjen në anën tjetër. Unë vetë si Monika Kryemadhi, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, jam e bindur edhe vetë Partia Demokratike kemi votuar një reformë në drejtësi në dakordësi me të gjitha institucionet ndërkombëtare, me Komisionin e Venecias, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian në korrik të 2016-s dhe për herë të parë si asnjëherë në 30 vitet e tranzicionit dhe të pluralizmit politik ne kemi pasur një dakordësi 100 për qind, me 140 deputetë në Parlament. Për tetë ligjet e reformës, Partia Demokratike ka pasur opsionet e veta, ndërsa ne kemi votuar. Dhe ne nuk i kthehemi mbrapsht absolutisht dhe nuk mendojmë se duhet korrigjuar asgjë nga ajo çfarë kemi votuar në 21-22 korrik të 2016-s. Më pas ndodhi deformimi dhe kapja e asaj që zoti Rama e deformoi, e ndryshoi, e kapi, e tjetërsoi, e për të cilën unë mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi dashje pa dashje, diku me indiciet tona personale apo diku me preferencat tona personale, edhe familjare, shkojmë dhe kemi bërë një gabim shumë të madh, i cila faktikisht i ka kushtuar jashtëzakonisht Shqipërisë."

Vaksinat, Kryemadhi: Kërkoj vaksinimin e popullatës, shqiptarët e duan amerikën, të kemi sa më shumë investime amerikane në Shqipëri

Zëri i Amerikës: Zonja Kryemadhi më lejoni dhe një pyetje të fundit. Pandemia sot është një problem botëror, Shqipëria ka nisur një proçes vaksinimi dhe po përdor katër vaksina Pfizer, AstraZeneca Sinovac-un dhe pret dhe ngarkesa me vaksina ruse. Cila do të jetë qasja e jua në rast të ardhjes në pushtet?

Monika Kryemadhi: "E para unë jam një person që e kërkoj vaksinimin e populates. Unë si Monika Kryemadhi mendoj që shqiptarët nuk mund të jenë një popullatë që të bëhet eksperiment duke u vaksinuar me vaksina nga të cilat nuk ju dihet origjina. Por çdo bashkëpunim i instutucioneve të shëndetësisë shqiptare dhe instutucioneve ndërkombëtare siç janë ato evropiane dhe ato të SHBA-së sepse janë dy instutucione që duhet të çertifikojnë vaksinat që shteti shqiptar duhe t’u bëjë shqiptarëve, e para dhe e dyta unë jam e bindur që asnjë politikan dhe as një forcë politike nuk është kundër vaksinimit , qytetarët shqiptar përkundrazi duhen vaksinuar dhe duhet vaksinuar me shpejtësinë më të madhe, sigurisht duhen vaksinuar me vaksinat më të mira, me ato që vaksinohen dhe gjermanët dhe danezët dhe amerikanët dhe kushdo tjetër."/oranews


MË SHUME NGA Intervista