Basha: Integrimi Evropian është bllokuar këto 8 vite

Basha: Integrimi Evropian është bllokuar këto 8 vite

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka nënshkruar marrëveshjen me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar. Basha gjatë takimit me përfaqësues të këtij këshilli u shpreh se ka ardhur koha që fermerët dhe agro-përpunuesit shqiptar të mbështeten me programe serioze.

Sipas kreut të opozitës, ky është sektori më jetik për ekonominë kombëtare dhe ndryshimi më 25 prill shihet në këto marrëveshje që janë garancia e qeverisë së ardhshme që do t’i shërbejë fuqizimit të bujqësisë dhe fermerit shqiptar.

Lideri i opozitës gjithashtu tha se me nxitjen përmes programeve për shumëfishimin e ndihmës nga IPARD-i dhe hapja e negociatave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, do të krijojnë mundësi për subvencione direkte për bujqësinë shqiptare.

“Ne jemi këtu sot për ta finalizuar këtë marrëveshje pasi jemi të bindur se ndryshimi është i domosdoshëm, jetik. Se pas 8 vitesh mbetje në vendnumëro dhe ecje prapa në shumë fusha as fermeri shqiptar, as agro-përpunuesi shqiptar, as konsumatori shqiptar nuk mund të vazhdojë më tej as 4 javë të tjera kështu. Ndryshimi ka marrë një formë konkrete përmes angazhimeve të programit tonë. Ky program nuk vjen si rezultat i dy muajve punë para fushate.

Ju e dini fare mirë, puna ka nisur vite e vite më përpara por unë jam i nderuar dhe i privilegjuar të ndaj me ju faktin se programi në vetvete është produkt i ekspertëve të fushës, është produkt i bashkëpunimit të dialogut dhe sugjerimeve tuaja dhe dhjetëra përfaqësuesve të tjerë me të cilët kemi dialoguar gjatë kësaj kohe, është produkt i kontrollit disafish të praktikave më të mira europiane në këtë fushë sepse në fund të fundit synimi ynë mbetet anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian. Ne e dimë fare mirë që nga njëra anë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian do t’i mundësojë këtij sektori, sektorit të bujqësisë, të ushqimit, të konsumit, një mbështetje që i ka munguar deri më sot apo që është keqpërdorur: IPARD-i ka mundësinë të shumëfishohet përmes programeve të tjerat të shumta të Bashkimit Europian për të ndihmuar fermerët, agrobiznesin, turizmin dhe të gjithë degët e tjera të ekonomisë të lidhura me të.

Pra, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është jetik por kjo rrugë ka 8 vite që është bllokuar. Negociatat janë premtuar në 2013 se do të hapeshin pas një viti dhe mbeten akoma larg. Përmes angazhimit tonë për t’i hapur negociatat brenda 100 ditëve të para të qeverisjes tonë ne e kemi të qartë se nuk bëhet fjalë vetëm për një firmë që unë do të hedh në Bruksel por bëhet fjalë për hapjen e mundësive që sot fermerët e vendeve të tjera të rajonit i gëzojnë. Në këtë mënyrë për çdo euro që qeveria e re shqiptare do të çojë tek fermeri shqiptar, do të kemi të paktën 1 euro ose më shumë nga Bashkimi Europian. Në këtë mënyrë do të arrijmë të subvencionojmë fermerin shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejtë, mbështetja do të jetë direkte tek fermeri, pa burokraci, duke përdorur modelet më të avancuara për të shmangur abuzivizmin dhe kontaktin me administratën“, tha Basha./tvklan.al