Akreditimi i programeve përfundon para përfundimit të provimit të maturës

Akreditimi i programeve përfundon para përfundimit të provimit të maturës

Intervistë me Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi.

Radio Kosova: Në janar të këtij viti ka filluar procesi i akreditimit të programeve të studimit dhe institucioneve të arsimit të lartë. Sa programe kanë aplikuar për akreditim e sa institucione janë në proces?
 
Naim Gashi: Bordi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mbledhjen e 22 janarit ka miratuar aplikacionet e 239 programeve akademike dhe dhjetë institucioneve të arsimit të lartë. Pra, gjatë këtij viti kemi 249 procese të vlerësimit. Agjencia e Kosovës për Akreditim ka miratuar një plan dinamik, i cili parasheh që deri në fillim të muajit maj të përfundojë vlerësimi i të gjitha programeve dhe institucioneve të arsimit të lartë nga ekspertët ndërkombëtarë. Ndërkohë, ndodh që një javë ose dy mund të vonohen deri sa të kthehen raportet e tyre. Meqë jemi në kushte pandemie, procesi i akreditimit po zhvillohet gjysmë në distancë, ku në çdo proces fizikisht merr pjesë drejtori dhe stafi i Agjencisë së Akreditimit, ndërsa ekspertët ndërkombëtarë lidhen me platforma online. Deri tani, sa i përket procesit janë kryer mbi 180 vlerësime të programeve dhe institucioneve të arsimit të lartë, ndërsa në proces janë rreth 50 vlerësime. Jam i kënaqur që deri sot kemi zero ankesa për sa i përket procesit të vlerësimit, qoftë nga ana e institucioneve të arsimit të lartë, qoftë nga ekspertët ndërkombëtarë. Zakonisht ankesat vijnë kur vijnë raportet, për arsye se raportet jo gjithmonë janë të pëlqyeshme nga ana e institucioneve të arsimit të lartë.
 
Radio Kosova: A mund të na thoni se ku është tani ky proces, a keni filluar të merrni raportet nga ana e ekspertëve? 
 
Naim Gashi: I kemi marrë rreth 60 raporte përfundimtare, të cilat presin që të miratohen në mbledhjen e parë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Ndërsa, janë në pritje rreth 100 raporte të tjera, të cilat kanë përfunduar në dy javët e fundit. Ekspertët ndërkombëtarë, brenda dy ose tri javesh i kthejnë raportet e vlerësimit. Ata fillimisht e marrin raportin e vetëvlerësimit të institucionit të arsimit të lartë, e bëjnë analizën e gjithë materies, më pas vijnë në vizitën online, që e organizon Agjencia e Akreditimit, e më pas kur të kthehen kërkojnë dokumente shtesë, e dërgojnë draft-raportin e parë, marrin komentet nga institucionet e arsimit të lartë dhe në fund e dërgojnë raportin në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.
 
Radio Kosova: A janë bërë vizitat në terren, sa janë bërë dhe sa të tjera pritet të bëhen?
 
Naim Gashi: Mbi 180 vizita në terren kanë përfunduar, kemi edhe 50 vizita që janë në proces e sipër. Ndërsa deri në javën e parë të muajit maj do të përfundojnë të gjitha vizitat në terren, në institucion. Më pas, dy javë pasi të përfundojnë do të vijnë të gjitha raportet përfundimtare, që dërgohen për miratim në KShC. Fillimisht, KShC e miraton listën e ekspertëve, vizitat i organizon Agjencia e Kosovës për Akreditim, vlerësimin e institucioneve të arsimit të lartë e bëjnë ekspertët ndërkombëtarë.
 
Radio Kosova: Sa aktivitete nevojiten për një proces të vlerësimit?
 
Naim Gashi: Në një proces të vlerësimit, nëse nuk ndodh asnjë pyetje shtesë nevojiten 17 aktivitete. Nëse i marrim parasysh 249 vlerësime herë 17, është një numër me mijëra punë, që i kryen Agjencia e Akreditimit me një staf jashtëzakonisht të limituar me shtatë anëtarë. Mos të harrojmë që një pjesë e tyre ka qenë e infektuar me COVID-19 dhe kemi funksionuar me kapacitete të limituara. Në Agjencinë e Akreditimit nuk ka pasur asnjë ditë pushimi gjatë vitit 2021 dhe kjo ka bërë që ne të zbatojmë planin dinamik për përfundimin e këtij procesi, për arsye se kemi institucione që nuk janë përfshirë në procesin e vlerësimit që nga viti 2016 e më herët. Kjo pasi disa kanë pasur akreditim për 5 vjet, për dy vjet u është vazhduar akreditimi për shkak të shkarkimit të Bordit në atë kohë dhe kemi programe akademike, që për shtatë vjet nuk i janë nënshtruar procesit të akreditimit. Me përgjegjësi e them, që deri në javën e parë të muajit maj, të gjitha programet akademike të cilat nuk kanë akreditim do të vlerësohen nga ekspertët e angazhuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim. 
 
Radio Kosova: Ju thatë që disa institucione të arsimit të lartë nuk i janë nënshtruar procesit të akreditimit institucional?
 
Naim Gashi: Ato kanë akreditim. Vitin e kaluar i kemi vlerësuar 14 institucione të arsimit të lartë, disa prej tyre kanë marrë për pesë vjet akreditim, siç është UP, disa të tjera për tri vjet dhe nuk i nënshtrohen sivjet procesit të akreditimit. 
 
Radio Kosova: Kur pritet të përfundojë procesi i vlerësimit për të gjitha programet akademike. A mund të jenë të vlerësuara të gjitha programet para përfundimit të maturës?
 
Naim Gashi: Nëse nuk kemi vonesa në konstituimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC-së), me plot përgjegjësi e them që me rastin e provimit shtetëror të maturës, të gjitha programet akademike të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë, do të kenë raportet përfundimtare.
 
Radio Kosova: Aktualisht nuk ka bord, a pritet që të funksionalizohet së shpejti KShC, që të mos ketë vonesa në proces?
 
Naim Gashi: Gjatë kontakteve që kam pasur me Ministrin e Arsimit, kam kuptuar që është prioriteti numër një. Ne shpresojmë shumë që jemi në kohën e duhur dhe deri në fund të muajit maj ne do ta kemi të kompletuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë, ku për rrjedhojë do të jemi në kohë për miratimin e të gjitha raporteve që do të sjellin ekspertët ndërkombëtarë.
 
Radio Kosova: Sa ekspertë ndërkombëtarë janë të përfshirë në këtë proces dhe ndërkohë ka edhe ekspertë studentë?
 
Naim Gashi: Aktualisht i kemi të angazhuar 85 ekspertë të fushave dhe profileve të ndryshme nga një listë e madhe, të cilën e ka miratuar KShC-së. Në atë listë përfshihen edhe ekspertët studentë, pasi ka qenë rekomandim edhe i ENQA-s, në raportin e fundit, që në të gjitha panelet vlerësuese të përfshihen edhe ekspertët studentë. AKA po zbaton rekomandimin e ENQA-s, që të përfshihen edhe ekspertët studentë. 
 
Radio Kosova: Keni thënë që deri në qershor të këtij viti do të plotësohen 90% e standardeve për kthim në ENQA. Çfarë mund të na thoni për këtë, cilat janë përgatitjet që janë bërë?
 
Naim Gashi: Agjencia e Kosovës për Akreditim, në tetor të vitit të kaluar ka përgatitur një plan dinamik, të cilin e ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, ku parashihen të gjithë hapat që do të ndërmerren për plotësimin e kritereve të ENQA-s. Por, jo të gjitha punët për kthimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR, i takojnë Agjencisë së Akreditimit. Punët tona të cilat na rekomandohen, sipas planit dinamik do të përfundojnë në fund të qershorit. Komponentë më e vështirë ka qenë analiza tematike, të cilën po e zbatojmë me VUS Kosovën. Kemi pasur edhe kritere të tjera, të cilat i kemi plotësuar në bashkëpunim me projektet që i financon ADA austriake. Jam shumë falënderues ndaj donatorëve evropianë dhe amerikanë, të cilët po përkrahin në mënyrë të fuqishme pavarësinë institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve teknike, financimin e projekteve, jo vetëm për ri-anëtarësimin e Kosovës në ENQA, por edhe për fuqizimin e kapaciteteve tona të brendshme për ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë.
 
Radio Kosova: Në plotësimin e këtyre standardeve hyn edhe Ligji për Agjencinë e Akreditimit. Në cilën fazë është tani dhe çfarë përfshin ky ligj konkretisht. A do të jetë kjo agjenci e pavarur ashtu siç është kërkuar edhe nga ENQA?
 
Naim Gashi: Po janë disa kritere që nuk varen nga AKA. Janë pavarësia financiare dhe institucionale, të cilat do të duhej të bëhen përmes Ligjit. Kjo është kompetencë që i takon Ministrisë, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës. Në qeverinë e kaluar ne kemi përgatitur një draft të Ligjit. Ka qenë një grup punues prej 19 personave, ku dhe unë kam qenë njëri nga ata. Kemi përgatitur një draft që është në Ministrinë e Arsimit dhe tani i takon ministres që të vendosë për të proceduar tutje. Në draftin e atij Ligji, parashihet që Agjencia e Akreditimit të ketë pavarësi institucionale dhe financiare, ashtu siç e kërkon ERA 2 dhe ENQA në sugjerimet që ia dërgon Agjencisë. Përveç miratimit të Ligjit, ne para se të aplikojmë në ENQA, duhet edhe të fillojmë ta zbatojmë atë Ligj. Ne duhet të vjelim rezultatet e tij dhe të shkojmë me aplikacion në ENQA me rezultate konkrete. Ne po presim dhe shpresojmë që Ligji të jetë një nga prioritetet kryesore të Ministrisë dhe Qeverisë. 
 
Radio Kosova: Komisioni Evropian e ka cilësuar AKA si institucionin me performansën më të mirë në Kosovë. Çfarë mund të na thoni për këtë?
 
Naim Gashi: Po, është e vërtetë. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian, i cili ka ardhur në mars të këtij viti, Agjencia është vlerësuar me një notë pozitive, ku përdoret edhe fjala “Well Done”, që është “Ju lumtë”. Është vlerësuar që edhe pse në kohë pandemie, menaxhimi i proceseve në Agjenci ka qenë i perfeksionuar. Ne jemi shteti i dytë në Evropë që kemi filluar procesin e akreditimit në distancë.  Kjo është vlerësuar jashtëzakonisht shumë nga Komisioni Evropian, për arsye se pjesa dërmuese e ekspertëve ndërkombëtarë janë edhe anëtarë të ENQA-s dhe mendoj që ata kanë dërguar sinjale pozitive për një punë të madhe që po bëhet në Kosovë. Unë kam shkëmbyer një letër me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Synjog, dhe presim që ai të vizitojë AKA-në. Besoj që me përkrahjen e institucioneve vendore dhe donatorëve ndërkombëtarë dhe angazhim maksimal tonin të brendshëm, AKA do t’i plotësojë të gjitha kriteret për rikthim në ENQA. Ri-anëtarësimi në ENQA nuk është një arritje vetëm për Agjencinë, por për të gjithë qytetarët që kanë një diplomë nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, pasi diplomat e tyre do të njihen me lehtë në të gjitha vendet e BE-së, por edhe me gjerë. 
 
Radio Kosova: Ndërkohë, Agjencia është përballur me sfida gjatë procesit të akreditimit në distancë?
Naim Gashi: Është e vërtetë se është një punë mjaft e vështirë për AKA-në, që të organizojë vizitat online. Mirëpo, ka qenë alternativa e vetme. Vitin e kaluar kemi pasur 14 institucione, duke përfshirë edhe UP-në, që kanë qenë pa akreditim. Alternativa e vetme, jo që kemi dashur, por për shkak të pandemisë na është imponuar dhe është dashur që të aplikojmë akreditimin në distancë. Sot, akreditimi në distancë zbatohet nga shumë vende të BE-së. Revista e organizatës ENQA, e ka radhitur Kosovën shtetin e dytë për nga suksesi për menaxhimin e akreditimit në kohë pandemie. Besoj që ky është një lajm i mirë për të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. 
 
Radio Kosova: Ndërkohë, vazhdimisht është thënë që agjencia ka nevojë për më shumë staf. Keni thënë se jeni edhe në proces të rekrutimit, çfarë mund të na thoni për këtë?
 
Naim Gashi: Aktualisht jemi në proces të rekrutimit për nëntë zyrtarë të lartë. Një lajm të mirë e kemi marrë javën e kaluar, ku njëri nga studentët e skemës që i dërgon Qeveria e Kosovës për të studiuar jashtë vendit në bashkëpunim me BE-në, e ka zgjedhur AKA-në. Pra, tani e kemi një staf më shumë, ndërsa edhe tetë personel i lartë i kemi në proces të rekrutimit dhe besoj se deri në muajin maj përfundon edhe ky proces. Kështu, do të rrisim kapacitetet tona të brendshme për t’i kryer obligimet tona ligjore në raport me institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë. Edhe një lajm i mirë për Agjencinë është se kemi një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, ku Agjencia do të dislokohet në një objekt të ri super modern në afërsi të Pallatit të Drejtësisë. Është pronë e Ministrisë së Arsimit, ku një kat do të jetë komplet për Agjencinë. Besoj se për sa i përket objektit, ne do të plotësojmë edhe një kriter më tepër të ENQA-s. Plani dinamik është që objekti do të përfundojë në fund të këtij viti. Shpresoj që fundi i vitit 2021 dhe fillimi i vitit 2022 do ta gjejë AKA-në me një objekt modern me të gjitha standardet ndërkombëtare.

Autor: Radio Kosova


MË SHUME NGA Intervista