Kim: Dhuna në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet
BKT
Shqipëri

Kim: Dhuna në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim shprehu sot kënaqësinë për ndjesën e drejtuesit politik dhe kandidatit të PD-së në Dibër, Xhelal Mziu i cili më herët gjatë një tubimi elektoral kishte folur për mbrojten e votës me grupe të posaçme.

“Më vjen mirë të shoh një ndjesë të qartë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet e nuk duhet të përsëritet. Ditët kur grupe të armatosura që mbanin shenjat e partive politike dhe ‘patrullimit’ të rrugëve, i takojnë së kaluarës- të kaluarës së shëmtuar që ne të gjithë duhet ta refuzojmë”, u shpreh ambasadorja Kim.

“Ky incident duhet të mos përdoret për sulme nga njëra apo tjetra palë, për të ndezur emocione midis votuesve. Në vend të kësaj, duhet të bëjë që të gjithë liderët të reflektojnë sesi mund ta drejtojnë Shqipërinë larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhmeje më të mirë”, përfundoi ambsadorja Kim.

Kandidati i PD-së, Xhelal Mziu kërkoi ndjesë për atë që e cilësoi “komentin tim të panevojshem dje, për shkak të emocioneve të forta të momentit”.

Në fjalën e tij, në përmbyllje të fushatës elektorale në Dibër, kandidati për deputet i PD-së i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që çdo person të dyshimtë ta raportojnë te grupet e posaçme që PD ka ngritur për mbrojtjen e votës dhe do ta pësojnë njëlloj si ai në Elbasan.

“Kemi ngritur grupet e gatshme nga sot dhe në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit”, u shpreh Mziu.


MË SHUME NGA Shqipëri