Nis vaksinimi i 60 mijë punonjësve të fasonerive
BKT
Shqipëri

Nis vaksinimi i 60 mijë punonjësve të fasonerive

Kryeministri Edi Rama vizitoi një fasoneri ku ka nisur sot vaksinimi i punonjësve, ndërkohë që në total janë 60 mijë punonjës të fabrikave me material porositësi që do vaksinohen, teksa janë kryer më shumë se 380 mijë vaksinime në të gjithë vendin.

I shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, Rama pa nga afër ecurinë e vaksinimit të punonjësve ndërsa kërkoi nga sipër marrësi rritje pagash për to.

“Ne do i ndihmojmë këta dhe këta do t’ju rrisin rrogën juve patjetër. Përndryshe s’ka. Minimalen do e çojmë 400 mijë lekë dhe shkojmë më sipër duke ju mbështetur juve që të bëni ‘Made in Albania’. Vaksinat do t’ju ndihmojnë shumë, e rëndësishme të jenë mirë gratë, burrat shohim e bëjmë”, tha Rama.

Rama tha se “do të vijojmë pa u ndalur derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar, në mbrojtje të jetës dhe për t’i dhënë vrull ekonomisë e turizmit”.

Ministrja Manastirliu u shpreh se “fillon sot vaksinimi nëpër fasoneritë”. “Aktualisht kemi filluar vaksinimin sipas një liste të cilën na e ka dhënë kryesia e gjithë fabrikave me materiale porositësi. Janë rreth 60 mijë punonjës, por që ne kemi vendosur kriteret e para për fillimin e vaksinimit që është kriteri i moshës dhe sëmundshmërisë. Sot kemi filluar këtu, por ndërkohë me listat që po na jepen do të fillojmë me vaksinimin në qendrat tona të përqendruara të vaksinimit masiv për të mos ndërprerë proceset e punës dhe për të vijuar për të siguruar mbrojtje të shëndetit të gjithë punonjësve”, tha ajo.

Ndërsa ministri Ahmetaj u shpreh se “këtu është momenti për të theksuar atë pjesë të rëndësishme të programit të PS-së që ka të bëjë me manifakturën”. “Duke filluar nga iniciativa juaj për instrumentin rreth 50 milionë euro për garanci sovrane për përmirësimin e teknologjisë dhe e dyta shumë e kujdesshme që është kërkesë drejtpërsëdrejti e shoqatës së manifakturës është subvencionimi i kostos së trajnimit të pjesës së stilistëve e grafistëve, që praktikisht është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për industrinë, për të plotësuar të tërë atë cikël të plotë. Tjetra është ajo që quhet amortizimi i përshpejtuar që bënë të mundur uljen e ngarkesë fiskale më tej akoma deri në zero, sidomos për tatim fitimin kur industria përmirëson teknologjinë”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë sipërmarrësi u shpreh se “ne kishim një kërkesë për rimëkëmbjen e sektorit tonë duke pasur parasysh problematikat që ka Europa dhe gjithë bota”. “Kjo paketë u implementua totoalisht për më tepër edhe me disa shtesa. Ne shpresojmë që me vaksinimin edhe ana psikologjike përmirësohet, shpresojmë që edhe Europa të hapet dhe ne t’i drejtohemi atij qëllimi që kemi për ta bërë ciklin e plotë të manifakturave. Nëse unë kam produkt 100%, kam mundësi të shtoj rrogat, të bëj trajnimit, të përmirësoj teknologjinë dhe të jem më kompetitiv në treg”, tha ai. /ATSH

 


MË SHUME NGA Shqipëri