Renata Alt: Më shumë vëmendje ndaj Ballkanit Perëndimor

Renata Alt: Më shumë vëmendje ndaj Ballkanit Perëndimor

Liberalët gjermanë kërkojnë në Bundestag më shumë angazhim ndaj Ballkanit Perëndimor. Intervistë me Renata Alt

Deutsche Welle: Grupi parlamentar i FDP ka paraqitur një kërkesë në Bundestag ku thuhet se Qeveria Federale duhet t'i ofrojë Ballkanit Perëndimor një perspektivë të "angazhuar" dhe "realiste" të anëtarësimit në BE. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Renata Alt: Është tepër e rëndësishme për mua që vëmendja jonë të përqendrohet intensivisht në Ballkanin Perëndimor. Ne jemi gjithmonë të përditësuar kur bëhet fjalë për politikën evropiane dhe ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Rusinë, Ukrainën dhe Sirinë. Por është po aq e rëndësishme që të mos harrojmë vendet që kemi te porta. Këto vende dëshriojnë dikur të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe janë angazhuar për zbatimin e reformave. Ne duhet ta monitorojmë këtë proces dhe t'i japim mbështetjen tonë të përkushtuar. Nga ana tjetër nuk mund të jemi naivë. Bashkimi Evropian duhet të jetë i gatshëm për t'i pranuar në mënyrë që kjo perspektivë të mbetet realiste.

Ku dallon kërkesa juaj nga politika aktuale gjermane ndaj këtyre vendeve?

Kohët e fundit ndjehet një ngadalësim i reformave.  Unë jam gjithashtu e befasuar që shumë projekte infrastrkuturore në Ballkanin Perëndimor i janë lënë Kinës. Për shembull, autostradat. Ato janë të dobishme, por me çfarë çmimi? 21 milionë euro për kilometër, si në Mal të Zi? Dhe tani konstatohet se nuk ka para për të paguar këstet dhe për këtë nevojitet ndihma e BE-së. Kjo nuk mund t'u shpjegohet qytetarëve të BE-së, veçanërisht në kohën e pandemisë. Nga ana tjetër, është në interesin tonë të madh t'i mbështesim ekonomikisht këto vende,  përndryshe ato do të bëhen plotësisht të varura nga Kina. Kina mund të pretendojë aeroportet, portet dhe projektet e rëndësishme të infrastrukturës. Kjo nuk mund të jetë në interesin evropian.

Çfarë sugjeroni ju?

Ne kemi nevojë për bashkëpunim dhe kontroll më të afërt mbi mjetet financiare. Financimi i BE-së duhet të kontrollohet më shpesh dhe më intensivisht në mënyrë që paratë të mos humbasin në ndonjë kanal.

Ministri Federal i Jashtëm Heiko Maas sapo ka qenë në Serbi dhe Kosovë. Si e vlerësoni vizitën e tij në vend?

Unë e mirëpres vizitën e Ministrit Federal të Jashtëm Maas, por ajo do të kishte qenë e rëndësishme vitin e kaluar. Në Serbi u pa sidomos se me çfarë performance Kina i bëri reklamë ndihmës së saj. Njerëzit menduan se Kina siguroi ndihmën më të madhe për të luftuar pandeminë. Por kjo nuk ishte e vërtetë: të parët ishin SHBA-të, të dytët Gjermania. Por ndryshe perceptuan njerëzit në vend. Sepse ndryshe nga Rusia dhe Kina, asnjë ministër gjerman nuk shkoi  për të  dorëzuar ndihmën personalisht.

Perspektiva e BE-së është ende relativisht e largët dhe e  kushtëzuar me zgjidhjen e konflikteve brenda rajonit. Për zgjidhjen e tyre ka mendime të ndryshme, njëri është ndryshimi i kufijve, sipas vijave etnike. E keni parë ju dokumentin përkatës për të cilët po flitet tashmë?

Unë e njoh atë vetëm nga shtypi. Por menjëherë më kujtoi Çekinë dhe Sllovakinë, të cilat në vitin 1991 ende quheshin Çekosllovaki, dhe më 1991 ky vend nënshkroi Marrëveshjen e Asociimit me BE-në, ku shprehu dëshirën për tu anëtarësuar me BE-në si një vend. Pastaj vendet u ndanë, ndërtuan kufij, dogana etj, që në fund, kur të hynin në BE t'i hiqnin sërish. Unë do të rekomandoja që vendet e Ballkanit Perëndimor t'i zgjidhin sa më shpejt konfliktet e tyre, përfshirë konfliktet ekzistuese etnike. Dhe mendoj se tani ka ardhur një moment i mirë me Presidentin e SHBA-së, Joe Biden, i cili është një ekspert i shkëlqyeshëm për Ballkanin Perëndimor.Ky ishte edhe një nga synimet tona me këtë kërkesë: që të sinjalizojmë se duam të mbështesim dhe të ndihmojmë në formësimin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor së bashku me qeverinë Amerikane./DW


MË SHUME NGA Intervista