Çështja e personave të zhdukur është plagë e pashërueshme
Mejreme Tahirukaj
Fshati Mejë i Gjakovës përkujton sot 376 personat e vrarë dhe të masakruar nga forcat policore dhe ushtarake serbe 22 vjet më parë.
Përveç përvjetorit të kësaj masakre, 27 prilli shënon edhe Ditën e të Pagjeturve të Kosovës, e cila është shpallur me vendim të Kuvendit në nderim të viktimave të masakrës së Mejës dhe të gjithë të zhdukurve gjatë Luftës në Kosovë. Drejtues të Shoqatave për Persona të Zhdukur thonë se politikat e gabuara janë duke e stërzgjatur zbardhjen e fatit të këtyre personave.
27 Prilli, Dita Kombëtare e Personave të Zhdukur shënohet sot në vendin tonë. Me këtë rast udhëheqësi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Qerkinaj, thotë se çështja e personave të zhdukur është plagë e pashërueshme në Republikën e Kosovës. Sipas tij, Serbia nuk do t’i hapë dosjet pa një presion politik ndërkombëtar.
“Humaniteti me Kryq të Kuq Ndërkombëtar nuk shtyhet përpara. Serbët nuk i çelin dosjet pa një zor të madh. Ata i kanë mbyllur ato. Për mua nuk ka seriozitet politik me shty këtë proces përpara, e pse nuk e di?”, ka thënë Qerkinaj.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, bëri të ditur për Radio Kosovën se gërmimet në Kizhevak të Serbisë do të fillojnë me 5 maj dhe do të zgjasin më se paku 2 javë. Ndërkaq tha se i kanë marrë rezultatet e ADN-ës për dy persona nga Rezalla.
“Duke marrë parasysh festat, punimet do të vazhdojnë me pesë maj. Kemi marrë identifikimin e dy trupave. Kemi njoftuar familjarët në Rrezallë, identifikimi na bënë me dije se është grupi i Rrezallës. Pas përfundimit të tërë procesit dhe gjetjes së mbetjeve të fundit, analizat do të dërgohen në ICMP dhe do të organizojmë kthimin në mënyrë të organizuar të mbetjeve mortore në Kosovë”, ka thënë Gërxhaliu.
E Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, thotë se në disa raste ka edhe rikthim nëpër hapësirat e varrezave ku është punuar edhe më parë. Sipas tij, hapësirat e varrezave të qyteteve të mëdha janë përdorur për groposje të kufomave nga forcat serbe për të humbur gjurmë. Ndryshe edhe pse kanë kaluar 22 vjet që nga përfundimi i luftës edhe më tutje nuk është zbardhur fati 1 mijë e 638 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.























