Finalja e Kupës më 12 maj, edicioni i ri nis më 21 gusht
BKT
Sport

Finalja e Kupës më 12 maj, edicioni i ri nis më 21 gusht

Federata e Futbollit e Kosovës ka caktuar sot edhe datat e përmbylljes së këtij edicioni, ku janë bërë të ditura edhe datat e finales së Kupës së Kosovës, si dhe ndeshjeve të barazhit.

Ky kampionat do të përfundojë më 23 maj në Superligë, ndërsa në Ligën e parë më 15 maj 2021. Ndeshjet e barazhit në Ligën e parë dy vendet e dyta të Grupit A dhe B do të zhvillohen më 22 maj 2021.

Ndërsa, barazhi i Superligës, ku vendi i 8-të do të zhvillojë ndeshje me fituesin e barazhit të Ligës së Parë, do të luhet më 29 maj. Ndërkaq, finalja e Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 12 maj, në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Po ashtu, KE i FFK-së vendosi që edicioni i ri garues 2021/2022 të fillojë më 21 gusht, ndërsa kampionati në konkurrencën e femrave më 4 shtator.

Afati kalimtar për futbollistë fillon më 1 korrik dhe do të zgjasë deri më 15 gusht 2021.