Kongresi Pan-Shqiptar Amerikan uron Ramën
BKT
Shqipëri

Kongresi Pan-Shqiptar Amerikan uron Ramën

KPA përmes një letre zyrtare ka bërë thirrje për politikën shqiptare “të punojnë së bashku”.

Kongresi Pan-shqiptar Amerikan (KPA) përmes një letre zyrtare ka përgëzuar Partinë Socialiste dhe kryeministrin e vendit, Edi Rama për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ndërsa, ka bërë thirrje për politikën shqiptare “të punojnë së bashku”.

“Është interes thelbësor kombëtar i qeverisë dhe opozitës që tani të bashkohen për të siguruar përfundimin e suksesshëm të reformave ligjore të nevojshme për të përforcuar perspektivat Europiane të Shqipërisë”, shkruhet në letrën drejtuar Partisë Socialiste.

Kongresi ka vlerësuar dhe fushatën e zhvilluar nga opozita, duke e cilësuar atë si “të fuqishme dhe dinjitoze”.

Theksin po ashtu e ka vënë dhe në bashkëpunimin rajonal, mes vendeve fqinje të Shqipërisë.

“Tirana duhet po ashtu të shërbejë si një bazë konstruktive e mbështetjes për Kosovën, ndërsa ajo është duke ecur drejtë rrugës së saj për njohje të plotë ndërkombëtare”.

Ndërkohë, KPA ka kërkuar dhe mbështetje për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Mal të Zi dhe Greqi, në luftën e tyre “për t’i dhënë fund diskriminimit institucional”.

KPA angazhohet se do të punojë ngushtë me qeverinë dhe opozitën shqiptare për të përforcuar marrëdhënien Shqiptaro-Amerikane dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.


MË SHUME NGA Shqipëri