Thaçi më 2001 kërkonte lirimin nga burgu të Kurtit
BKT
Lajme

Thaçi më 2001 kërkonte lirimin nga burgu të Kurtit

Thaçi iu kishte shkruar figurave kryesore të politikës botërore letër më 2001, kërkonte lirimin e Albin Kurtit nga burgu

Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e ish-krerëve të UCK-së për lirim nga paraburgimi. Institucionet e Kosovës – Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani – po kritikohen se nuk kanë ofruar garancion për lirimin me kusht të tyre. Periskopi iu sjell një letër të vitit 2001, kur Hashim Thaçi si kryetar i PDK-së, iu kishte shkruar të gjitha figurave kryesore politike të botës, ku kishte kërkuar lirimin e Albin Kurtit…

Gjykata Speciale të premtën bëri të ditur se ka refuzuar kërkesat e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për lirim nga paraburgimi.

Institucionet e Kosovës, përkatësisht njerëzit që përfaqësojnë ato – Vjosa Osmani si Presidente dhe Albin Kurti si Kryeministër, po kritikohen se nuk kanë bërë dhe nuk po bëjnë asgjë për të garantuar lirimin me kusht të ish-kreut të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe ish-bashkëthemeluesve tjerë të UCK-së që ndodhen në paraburgim në Hagë.

Por përderisa në institucionet e Kosovës nuk ka udhëheqës që janë të gatshëm ta bëjnë këtë, është Presidenti i Kroacisë, z.Zoran Milanoviq, i cili duket se ka shprehur gatishmëri lidhur me garantimin për lirimin me kusht. Këtë e ka bërë të ditur, ish-kandidati për deputet i PDK-së, Hisen Berisha.

Veç Kroacisë, është përmendur edhe Shqipëria si shtet që do të mund të ofrojë lirimin me kusht të ish-krerëve të UCK-së.

Ndërkohë Periskopi ka gjetur një artikull të vitit 2001, ku Hashim Thaçi kishte kërkuar lirimin nga burgu të Albin Kurtit. Thaçi si kryetar i PDK-së, atëkohë, u kishte shkruar figurave më të njohura të skenës politike botërore të asaj kohe.

Ai u kishte shkruar Sekretarit të shtetit amerikan, Kolin Pauell, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

“Kërkojmë nga autoriteti Juaj që të shfrytëzoni influencën e shtetit që përfaqësoni me qëllim që të lirohen sa më parë liderët e lëvizjes studentore, Nait Hasani dhe Albin Kurti si dhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë shqiptarët”, thuhej në letrën e Thaçit të vitit 2001, të publikuar atëkohë në të përditshem ‘Zëri ditor’, përcjell Periskopi.

Poashtu, Thaçi kishte kërkuar edhe për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit.

“Fjala është për absurditetin që karakterizojnë vendimet e autoriteteteve të reja të Beogradit në vazhdimin e mbajtjes në burgjet serbe të qindra shqiptarëve dhe refuzimin e dhënies së informative për mijëra të tjerë që konsiderohen të zhdukur, vecanërisht intelektualin e mirënjohur Ukshin Hoti”, kishte shkruar Thaçi më 2001./Periskopi/


MË SHUME NGA Lajme