Deputetja Reshitaj: Menaxhimi i pandemisë është betejë e përbashkët
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj tha se prioritet kryesor i Qeverisë duhet të jetë sigurimi i vaksinave, duke shtuar se duhet një plan veprues konkret nga ministri i shëndetësisë Arben Vitia për të dalë nga kjo situatë.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se menaxhimi i pandemisë është betejë e përbashkët e të gjitha partive politike.
“Menaxhimi i pandemisë është betejë e jona e përbashkët e të gjithëve, prandaj konsideroj që janë dy çështje të rëndësishme që ne duhet t’i shohim si mospolitizimin e menaxhimit të pandemisë nga të gjithë krerët politik dhe duhet një fokusim i madh i qeverisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë”.
“Nuk ka prioritet më të madh këto ditë sesa menaxhimi i pandemisë, por edhe sigurimi i vaksinave për të gjithë qytetarët e vendit që kanë nevojë të vaksinohen. Prandaj konsideroj, se sikurse Qeveria ashtu edhe ministria e Shëndetësisë duhet të fokusohen në sigurimin e vaksinave në planin veprues sesi si do të menaxhohet dhënia e vaksinave”, shprehet Reshitaj për EO.
Sipas saj, për vaksinimin masiv të popullatës duhet të angazhohet një ekip i veçantë i mjekëve dhe duhet të ketë një plan konkret nga institucionet përgjegjëse.
“Nevojiten ekipe të veçanta të mjekëve, ekipet mobile që duhet të përgatiten edhe në raste ku duhet të vaksinohen individë, të cilët janë me aftësi të kufizuara apo të moshuar. Një plan veprues konkret nga ministria e Shëndetësisë do të duhet të bëhet sa më shpejt dhe unë pres reflektim nga ministri i shëndetësisë Arben Vitia për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj situate”, shtoi Reshitaj.
Deputetja e AAK-së ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se pjesë e ekipit në këtë proces duhet të jetë edhe opozita.
“Normalisht për shkak të presioneve politike dhe agjendave politike edhe dialogu është nga çështjet që duhet të vazhdojë dhe të zgjidhet sa më parë. Unë dua të besoj se vetëm AAK por edhe të gjitha partitë opozitare do të duhet të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”.























