Reagime për deklaratën e Gërvallës për dërgimin e materialeve në Hagë
BKT
Lajme

Reagime për deklaratën e Gërvallës për dërgimin e materialeve në Hagë

Gjatë ditës së hënë, avokati Gani Koci ka publikuar një video të kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz ku ajo thotë se do të dërgojë materiale në Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

 

“Brenda mundësive që kam patjetër që do të dërgoj materiale në Speciale. Po kam material. Kemi kryetar të parlamentit që unë e quaj më të turpshme sesa Thaçi që është president. Gjithë bota e di kush është Kadri Veseli dhe gjithë bota e di kush është Hashim Thaçi. Kadri Veseli ka qenë koka e organizatës që ka bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”, citohet të ketë thënë Gërvalla asokohe në një intervistë televizive.

E kjo ka ngjallur reagime të ashpra në publik. Aktivisti i shoqërisë civile, Petrit Zogaj ka thënë se është me interes publik të dihet nëse Gërvalla i ka dërguar në Spciale dosjet e përmendura në këtë video.

Zogaj më tutje shton se nëse Gërvalla nuk i ka dërguar dosjet, atëherë kjo vet inkriminohet dhe Gjykata duhet të merret me të si me Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin.

“Eshte me interes publik me e ditë nëse Donika Gërvalla i ka dergu dosjet qe paska thene qe i ka ne Gjykaten Speciale. Kjo Gjykatë është e Kosovës, dhe nëse Donika ka pasë diçka dhe nuk i ka dorëzu, i bije qe ajo vet inkriminohet dhe Gjykata duhet të merret me të po njëjtë sikurse u mor me Nasim Haradinajn dhe Gucatin.”, shkruan Zogaj.

Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se disa ministra janë duke bërë përpjekje për të dërguar dëshmi në Speciale.

“Ka ministra që kanë thënë, se janë të gatshëm, dhe se janë tuj bo përpjekje të çojnë dëshmin në Gjykatën Speciale, duke aluduar për kryediplomatën e Kosovës, Donika Gërvallën, tha Gjoshi. 

Edhe gazetari Vehbi Kajtazi ka kërkuar të dihet nëse Gërvalla ka dërguar dëshmi në Speciale dhe në çfarë cilësie i ka dërguar ato.

“Donika është ministre e Jashtme dhe do të duhej të filiste vetë për atë deklaratë, duhet të na tregojë se a ka dërgu dëshmi në Hagë, në çfarë cilësie ka çu dëshmi, se jo gjithkush mundet me dorëzu dëshmi në një gjykatë apo prokurori”, tha ai.

Reagim pati edhe nga kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj. Ai në Facebook shkroi se nuk mund të pritet interesim për UÇK-në nga dikush që e ka emëruar zv/kryeministre Gërvallën.

Ai më tutje tha se kjo qeveri është transformuar nga mosdorëzimi i luftëtarëve deri tek dorëzimi i dosjeve kundër tyre.

“Si mund të presim interesim për luftëtarët e UÇK-së nga kjo qeveri, e cila emëron zv/kryeministre e ministre të jashtme dikënd si Donika Gërvalla, e cila ka treguar publikisht që ka deponuar dosje kundër ushtarëve të UÇK-së. Kjo është qeveria Kurti e transformuar nga mosdorëzimi i luftëtarëve në Gjykatë tek dorëzimi i dosjeve kundër tyre.”, tha Molliqaj.

Edhe gazetari Berat Buzhala ka reaguar pas publikimit të kësaj video. Ai tha se qeveria e Serbisë dhe Kosovës tani po pajtohen që duhet dënuar krerët e UÇK-së.

Ai ka thënë se dihet tashmë publikisht që ministrat e të dy qeverive kanë nisur dosje në Hagë.

Mbetet të shihet nëse Gërvalla do të sqarohet për deklaratën e taj të para disa vjetëve dhe të tregojë nëse ka dërguar dëshmi në Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së. 

 


MË SHUME NGA Lajme