Urdhëri i një gjykate në Madrid i shpëton klubet "rebele" nga dënimi

Urdhëri i një gjykate në Madrid i shpëton klubet "rebele" nga dënimi

Juventus, Real Madrid, Barcelona dhe Milani mund të përballen me një dënim 2-vjeçar nga Champions League, pasi vijojnë të mos tërhiqen nga ëndrra e European Super League, edhe pse 8 klube u tërhoqën nga kjo ide për 48 orë.

UEFA mund t’i penalizojë për krijimin e një gare paralele, por mediat raportojnë se shanset që të ndodhë diçka e tillë janë të pakta. Burime pranë Super League tregojnë edhe pse nuk mund të ndodhë diçka e tillë.

“Nuk ka asnjë mundësi përjashtimi të klubeve nga gara evropiane, ekziston një urdhër nga gjykata e Madridit që e parandalon qartë. Njerëzit në komitetet disiplinore të UEFA janë gjyqtarë dhe avokatë të cilët do të ishin subjekt i  dënimeve të rënda, përgjegjësisë civile dhe mbase edhe përgjegjësisë penale nëse ata injoronin një urdhër gjykate.  

Edhe në Zvicër janë të detyruar, nga një traktat, të zbatojnë një urdhër gjykate nga Madridi”, shkruan Calciomercato. Një koment në lidhje me dënimet e mundshme e dha një ditë më parë edhe presidenti i FIFA-s, Giani Infantino.

“Duhet të shmangim fjalën luftë kur bëhet fjalë për futbollin. Sidomos në një kohë si kjo kur e gjithë bota po merret me një pandemi të pazakontë. Është detyrë e institucioneve kombëtare, pastaj e UEFA dhe më pas e FIFA, të marrin vendimet e duhura.

Edhe në situatat më delikate, unë jam për dialog dhe jo për konflikte. Një drejtues ka për detyrë të pyesë veten pse ka ardhur e gjithë kjo dhe duke u nisur nga kjo pyetje, të ndërtojë një të ardhme tjetër duke folur dhe dëgjuar të gjithë, veçanërisht tifozët, të cilët janë zemra e futbollit.

Disa sanksione mund të kenë pasoja të rëndësishme dhe atëherë ne duhet të marrim përgjegjësi për to. Duhet të kuptohet se për çfarë masash po flitet. Dëgjoj që klubet duhet të ndëshkohen, por kjo mund të nënkuptojë edhe dënimin e lojtarëve, trajnerëve dhe tifozëve të tyre, që nuk kanë asnjë lidhje me projektin e Super League”, shprehej numri një i FIFA-s.