SPAK "rihap" Gërdecin dhe çon Mediun për ndjekje penale në gjykatë

SPAK "rihap" Gërdecin dhe çon Mediun për ndjekje penale në gjykatë

Fatmir Mediu do të përballet sërish me drejtësinë për tragjedinë e Gërdecit.

Çështja u depozitua në Gjykatë të Lartë nga SPAK, pas denoncimit të familjes Durdaj, e cila humbi djalin 7 vjeçar. SPAK thotë se me ndryshimet kushtetuese tashmë nuk ka asnjë pengesë për ndjekje penale ndaj Mediut, atë kohë Minister i Mbrojtjes.  

SPAK vë në lëvizje Gjykatën e Lartë për dosjen "Gërdeci" dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, njofton oranews.

Çështja u rikthye në institucionet e drejtësisë nga familja Durdaj, e cila humbi djalin 7 vjeçar Edisonin.

Feruzan dhe Zamira Durdaj depozituan ne Prokurorine e Posaçme Antikorrupsion kërkesën për ndjekjen penale ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes në atë kohë dhe rihapjen e çështjes, e cila u pushua në 2009 nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.  

Në një njoftim të posaçëm, SPAK bën me dije se nga analizimi i pretendimeve të parashtruara në kërkesën e çiftit Durdaj, ka arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes ndaj Mediut.

Prokuroria e Posaçme thotë se nuk ka asnjë pengesë për vazhdimin e ndjekjes penale për çështjen ndaj tij.