Raporti për Liritë Fetare: Kosova ka nevojë për një Ligj të ndryshuar
Ky vit shënon publikimin e 23-të të Raportit Ndërkombëtar për Liritë Fetare, i cili e dokumenton gjendjen e lirive fetare në afro 200 shtete dhe territore. Administrata e Biden-it është thellësisht e përkushtuar për ta promovuar dhe mbrojtur respektin e përgjithshëm për lirinë e fesë ose të besimit për të gjithë.
(E plotësuar) E drejta për ta ushtruar lirinë e fesë ose të besimit ka qenë thelbësore në përvojën amerikane që nga themelimi i shtetit tonë. Liria e fesë ose e besimit mbrohet në Amendamentin e Parë të Kushtetutës sonë dhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut; ajo është një vlerë thelbësore amerikane dhe e drejtë e përgjithshme e njeriut.
Siç ka theksuar Presidenti Biden, ne nuk jemi komb i përkryer. Nuk jemi të vetëdijshëm për të metat tona. Ka më shumë punë për të bërë për të siguruar që të drejtat dhe dinjiteti i të gjithëve mbështeten njëlloj si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe jashtë tyre. Ky raport informon për vendimet kritike të politikës së jashtme të SHBA-së dhe shërben si burim i besueshëm për qeveritë dhe ligjvënësit e huaj, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, bashkësitë fetare, hulumtuesit akademikë, anëtarët e Kongresit dhe amerikanët e rëndomtë për informata të besueshme mbi zhvillimet e lirive fetare anembanë botës.
Pjesa për Kosovën e Raportit për vitin 2020 thekson nevojën për një Ligj të ndryshuar për lirinë fetare. Mungesa e statusit ligjor për bashkësitë fetare është një hendek i madh në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë.
Ja raporti i plotë:
Raporti i vitit 2020 për Liritë Fetare Ndërkombëtare: Kosova
Përmbledhje ekzekutive
Kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe parashikon liri fetare që u nënshtrohen kufizimeve
për të siguruar rend publik, shëndet dhe siguri ose për t’i mbrojtur të drejtat e të tjerëve. Ligji
nuk parashikon ndonjë mënyrë që grupet fetare të fitojnë status juridik. Në shtator, kabineti
miratoi ndryshime që do t’ua siguronin grupeve fetare një status të tillë dhe do t’u mundësonin
ta zhvillonin biznesin në emrin e tyre dhe të fitonin përfitime të caktuara tatimore, por
parlamenti nuk i miratoi ato për shkak të mungesës së kuorumit të kërkuar për ta miratuar
legjislacionin. Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), në shumë raste, shkollat fillore
publike ua mohuan nxënëseve myslimane me veshje fetare ndjekjen e mësimit. Më 4 shtator,
Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë nënshkruan një listë të angazhimeve në Uashington,
D.C., të ndërmjetësuar në Shtëpinë e Bardhë, që përfshinte një premtim për ta mbrojtur dhe
promovuar lirinë e fesë, për ta përtërirë komunikimin ndërfetar, për t’i mbrojtur vendet fetare,
për t’i zbatuar vendimet gjyqësore në lidhje me Kishën Ortodokse Serbe (KOS) dhe për ta
vazhduar kthimin e pronës hebraike të patrashëguar dhe të pakërkuar të kohës së Holokaustit.
KOS-i tha se mungesa e komunikimit konstruktiv me disa qeveri komunale i pengoi pelegrinët
ortodoksë serbë të kishin qasje të lirë në disa tempuj dhe varreza të KOS-it. KOS-i tha se
qeveria dështoi ta zbatonte plotësisht Ligjin mbi Zonat e Veçanta të Mbrojtura (ZVM) duke
dështuar ta parandalojë ndërtimin e rrugëve në ZVM të Manastirit të Deçanit. Qeveria ndaloi
punën në ZVM në gusht pas kundërshtimeve nga komuniteti ndërkombëtar. Këshilli për Zbatim
dhe Monitorim (KZM), që përfshin KOS-in, vendosi në nëntor për rehabilitimin e rrugës në
përputhje me ligjin. Autoritetet lokale dhe qendrore vazhduan ta shpërfillnin një vendim të
gjykatës të vitit 2016 mbi pronësinë e KOS-it për disa parcela të tokës pranë manastirit të
Deçanit. Pas një rishikimi, qeveria deklaroi në gusht se, në shumë varreza të menaxhuara nga
BIK-u sipas kontratave komunale, mungesa e mbikëqyrjes komunale i mundësoi BIK-ut që të
parandalonte grupe të tjera fetare/jo-fetare të kryenin shërbime varrimi sipas besimeve të tyre
dhe t’i diskriminonin grupet e pakicave fetare. Komunitetet serbe dhe hebraike të Kosovës
thanë se disa komuna nuk i mirëmbajtën siç duhet varrezat e këtyre komuniteteve.
Policia kombëtare tha gjatë këtij vitit kishte pranuar raporte për 57 incidente kundër vendeve
fetare ose varrezave, krahasuar me 61 incidente në vitin 2019. Policia i klasifikoi shumicën e
incidenteve si vjedhje, ndonëse disa përfshinin dëmtime në varreza ose prona të tjera. Shumica
e incidenteve i kishin në shënjestër vendet e bashkësisë myslimane, ndonëse disa përfshinin
pronat e KOS-it dhe të kishës katolike. Sipas KOS-it, shumë incidente që përfshinin vendet
fetare të KOS-it ishin të lidhura me përkatësinë etnike serbe dhe fenë, por kishte edhe incidente
që nuk u raportuan në polici. Në gusht, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë
(OSBE) njoftoi se vandalët dëmtuan një kishë të KOS-it në fshatin Sreçkë në Prizren. Në
shtator, sipas mediave dhe policisë, një kishë e KOS-it u grabit në Babimoc të Obiliqit. Më 6
janar, në Gjakovë, shqiptarët lokalë të Kosovës, përfshirë familjet e personave të zhdukur nga
konflikti i vitit 1998-1999, organizuan një protestë, siç kishin bërë që nga viti 2015, para kishës
lokale të KOS-it, që përsëri i detyroi anëtarët e KOS-it ta anulonin një pelegrinazh atje. Zyrtarët
e KOS-it përsëri u ankuan për raportim negativ të mediave dhe kritika ndaj kryemurgut të
Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, si pretendimet se kryemurgu po e bllokonte zhvillimin lokal
duke ia mohuar komunës së Deçanit përdorimin e pronës dhe burimeve të veta.
Zyrtarët e Ambasadës Amerikane vazhduan ta inkurajojnë qeverinë të miratojë ndryshime që
u lejojnë grupeve fetare ta fitojnë statusin ligjor, t’i zbatojnë mekanizmat për ta mbrojtur lirinë
e fesë, ta zbatojnë legjislacionin dhe vendimet gjyqësore që kanë të bëjnë me vendet fetare të
KOS-it dhe t’i zgjidhin kontestet pronësore të KOS-it. Ambasadori dhe përfaqësues të tjerë të
ambasadës i diskutuan çështjet e lirisë fetare, përfshirë mbrojtjen e barabartë dhe çështjet e të
drejtave pronësore, me udhëheqësit fetarë dhe të shoqërisë civile dhe inkurajuan tolerancën
fetare dhe dialogun e përmirësuar ndërfetar.
Seksioni I. Demografia fetare
Qeveria e SHBA-së vlerëson se numri i përgjithshëm i popullsisë është 1,9 milionë banorë
(vlerësim i mesit të vitit 2020). Sipas regjistrimit të vitit 2011 (më i fundit), 95,6 për qind e
popullsisë është myslimane, 2,2 për qind katolike romane dhe 1,4 për qind serbe ortodokse, me
protestantë, hebrenj dhe persona që nuk përgjigjeshin ose u përgjigjën “tjetër” ose “asnjë”, që
së bashku përbënin më pak se 1 për qind. Sipas KOS-it dhe vëzhguesve ndërkombëtarë,
mungesa e mbështetjes financiare për regjistrim dhe bojkotimi i tij nga shumica e serbëve
etnikë rezultoi në llogaritje më të ulët të pakicave etnike të të gjitha prejardhjeve fetare,
përfshirë anëtarët e KOS-it, tarikatet myslimane dhe protestantët. Komunitetet e tjera fetare,
përfshirë tarikatet myslimane dhe protestantët, gjithashtu i kundërshtuan të dhënat e
regjistrimit, duke theksuar se nuk kishin besim në metodologjinë e regjistrimit dhe besuan që
kjo rezultoi në llogaritje të ulët të anëtarëve të komuniteteve të tyre.
Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë, ndonëse disa janë të krishterë (ortodoksë,
katolikë dhe protestantë). Pothuaj të gjithë serbët e Kosovës i takojnë KOS-it. Shumica e
ashkalinjve, boshnjakëve, egjiptianëve, goranëve, romëve dhe turqve janë gjithashtu
myslimanë, ndërsa shumica e malazezëve etnikë dhe disa romë janë ortodoksë të krishterë.
Pothuaj të gjithë kroatët etnikë janë katolikë.
Sipas BIK-ut, shumica e myslimanëve i përkasin shkollës sunite hanafi, edhe pse disa janë
pjesë e komunitetit tarikat sufi. Ekziston edhe një komunitet fetar sufi bektashi; nuk ka asnjë
vlerësim zyrtar për numrin e pasuesve të tij. Shqiptarët e Kosovës përbëjnë shumicën në 28
nga 38 komuna të vendit dhe serbët e Kosovës përbëjnë shumicën në 10 komunat e tjera. Pjesa
më e madhe e anëtarëve të KOS-it banojnë në 10 komunat me shumicë serbe. Komunitetet më
të mëdha katolike janë në Gjakovë, Janjevë, Klinë, Prishtinë dhe Prizren. Popullatat protestante
ungjillore janë të vendosura në tërë vendin, të përqendruara në Prishtinë dhe në Gjakovë. Ka
komunitete të vogla hebraike në Prizren dhe Prishtinë.
Seksioni II. Statusi i respektimit të lirisë fetare nga Qeveria
KORNIZA LIGJORE
Kushtetuta parashikon të drejtën e lirisë së ndërgjegjes dhe fesë për të gjithë qytetarët, përfshirë
të drejtën për ta ndërruar, shprehur apo për të mos e shprehur besimin fetar, për ta ushtruar fenë
apo për të mos e ushtruar fenë, dhe për t’iu bashkuar apo refuzuar për t’iu bashkuar një
bashkësie fetare. Këto të drejta u nënshtrohen kufizimeve për shkak të sigurisë dhe rendit
publik ose për ta mbrojtur shëndetin apo të drejtat e të tjerëve. Kushtetuta parashikon ndarjen
e bashkësive fetare nga institucionet publike, përfshirë të drejtën e grupeve fetare për t’i
rregulluar në mënyrë të pavarur organizimet, aktivitetet dhe ceremonitë e tyre, dhe të drejtën
për të themeluar shkolla fetare dhe institucione bamirësie. Ajo garanton të drejta të barabarta
për të gjitha bashkësitë fetare, përcakton që vendi është shtet laik dhe neutral lidhur me fenë,
deklaron që shteti do ta sigurojë mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare të vendit dhe
ndalon diskriminimin e bazuar në fe. Kushtetuta përcakton që ligji mund ta kufizojë lirinë e
shprehjes për ta parandaluar provokimin e dhunës dhe armiqësisë për shkak të racës,
nacionalitetit, përkatësisë etnike apo fesë. Ajo u lejon gjykatave t’i ndalojnë organizimet apo
aktivitetet që inkurajojnë urrejtje racore, nacionale, etnike apo fetare.
Ligji për lirinë fetare thotë, “Të gjitha besimeve dhe bashkësive të tyre në Kosovë duke
përfshirë Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike,
Bashkësinë e Besimit Hebrej, dhe Kishën Evangjeliste (pesë komunitetet “tradicionale” fetare),
do t’u ofrohet çdo lloj mbrojtjeje dhe mundësi për të gëzuar të drejtat dhe liritë e parashikuar
me këtë Ligj.” Kushtetuta parashikon të drejta dhe mbrojtje për të gjithë qytetarët, përfshirë
mirëmbajtjen, zhvillimin dhe ruajtjen e fesë së tyre duke përdorur gjuhën e tyre. Kushtetuta
gjithashtu thotë se bashkësitë fetare kanë të drejtë të themelojnë shkolla fetare dhe institucione
bamirësie me mundësinë e financimit me ndihmë financiare të qeverisë “në përputhje me ligjin
dhe standardet ndërkombëtare”. Kushtetuta ofron garanci të lirisë dhe pluralizmit të mediave.
Ajo u garanton të gjitha komuniteteve etnike qasje në mediat publike. Të drejtat shtesë për
grupet fetare përfshijnë themelimin dhe përdorimin e mediave të tyre, mbajtjen e kontakteve
paqësore e të papenguara me personat jashtë vendit me të cilët ndajnë identitet fetar dhe qasjen
e barabartë në punësimin publik.
Kushtetuta ua garanton 20 nga 120 vende në parlament përfaqësuesve të bashkësive të pakicave
etnike, të cilat shpesh shoqërohen me një grup fetar me shumicë të vetme, si myslimanët ose të
krishterët ortodoksë. Ajo gjithashtu përcakton miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e të
gjitha ligjeve që kanë të bëjnë me lirinë fetare ose trashëgiminë kulturore, kërkon miratimin
nga shumica e deputetëve që i përfaqësojnë komunitetet e pakicave, si dhe nga shumica e të
gjithë deputetëve.
Kushtetuta parashikon Institucionin e Avokatit të Popullit, i cili është përgjegjës për
monitorimin e lirisë fetare, ndër të drejta të tjera të njeriut, dhe për rekomandim të veprimeve
për t’i korrigjuar shkeljet. Kushtetuta përcakton që shteti do t’i ndërmarrë të gjitha masat e
nevojshme për t’i mbrojtur individët që mund të jenë subjekt i kërcënimit, armiqësisë,
diskriminimit apo dhunës për shkak të identitetit të tyre fetar.
Ligji përcakton që nuk ka fe zyrtare, por i rendit pesë bashkësi “tradicionale” fetare që marrin
mbrojtje dhe përfitime shtesë, përfshirë taksat e reduktuara.
Ligji nuk kërkon regjistrimin e grupeve fetare, por as nuk parashikon ndonjë mekanizëm ligjor
ose udhëzim specifik që grupet fetare të fitojnë status ligjor përmes regjistrimit apo mënyrave
të tjera. Pa status ligjor, komunitetet fetare nuk mund të posedojnë pronë, të hapin llogari
bankare, të punësojnë personel, të kenë qasje në gjykata si entitet. Mirëpo kongregacionet
individuale ose individët mund të hapin llogari bankare, të punësojnë personel, të kenë qasje
në gjykata apo të kryejnë punë të tjera administrative në emër të tyre. Komunitetet lokale
shpesh njohin posedimin e ndërtesave nga grupet fetare; megjithatë, ligji në përgjithësi nuk i
mbron këto ndërtesa si pronë të një komuniteti fetar, por përkundrazi si pronë private të
qytetarëve ose të organizatave joqeveritare. Prona e KOS-it bën përjashtim: Ligji për ZVM-në
e pranon dhe e mbron integritetin e pronësisë së pronave të KOS-it dhe kujdestarinë për zona
të caktuara në kuadër të ZVM-ve.
Ligji parashikon lirinë e praktikave fetare ose jofetare dhe të drejtën për të krijuar organizata
humanitare/bamirësie, pranimin e kontributeve vullnetare financiare nga individë dhe
institucione, dhe përfshirjen në komunikim kombëtar dhe ndërkombëtar për qëllime fetare.
Ligji parashikon mbrojtje për vendet me rëndësi fetare e kulturore dhe ndalon ose kufizon
aktivitetet në afërsi që mund ta dëmtojnë mjedisin e tyre historik, kulturor apo natyror. Sipas
ligjit, KZM është përgjegjës për gjykimin e kontesteve ndërmjet Qeverisë dhe KOS-it lidhur
me ZVM-të dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen e trashëgimisë fetare e kulturore
të KOS-it. KZM-ja është organ i posaçëm që rrjedh nga Propozimi Gjithëpërfshirës i vitit 2007
për zgjidhjen e statusit të Kosovës (i njohur si Plani i Ahtisaarit) dhe i themeluar me ligj.
Anëtarë të KZM-së janë: Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit (bashkëkryesuese); Përfaqësuesi
Special i Bashkimit Evropian (bashkëkryesues); Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit; KOSi, dhe OSBE-ja.
Komunat janë ligjërisht përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe meremetimin e të gjitha varrezave
publike, përfshirë varrezat e caktuara për bashkësitë specifike fetare.
Sipas ligjit, “institucionet e arsimit publik duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare ose
aktivitetet e tjera që përhapin fe specifike”. Ky ligj nuk zbatohet në shkollat që veprojnë nën
strukturat paralele të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë, mbi të cilat Qeveria e Kosovës nuk ka
kontroll.
Një qarkore administrative e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për kodin e sjelljes
dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, me fuqi të ligjit, ua ndalon
nxënësve të mbajnë “uniforma” fetare në ambientet e shkollave fillore e të mesme.
Vendi nuk është palë e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike.
Praktikat qeveritare
Në shtator, kabineti miratoi dhe dërgoi në parlament ndryshime në Ligjin për lirinë fetare që
do t’u lejonte grupeve fetare ta fitonin statusin ligjor, të bënin biznes dhe të merrnin prona të
paluajtshme e personale në emrin e tyre, të hapnin llogari bankare dhe të fitonin përfitime nga
taksat e importit. Në fund të vitit, parlamenti nuk kishte votuar për ndryshimet; kishte një
mungesë të vazhdueshme të kuorumit për shkak të pandemisë COVID-19 dhe bojkoteve nga
deputetët serbë të Kosovës. Në mungesë të zbatimit të legjislacionit, të gjitha bashkësitë fetare
thanë që vazhduan të operonin llogari bankare të regjistruara në emër të individëve në vend të
bashkësive. Përveç kësaj, komunitetet, si Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK),
thanë që vazhduan të tatoheshin si biznese fitimprurëse.
Sipas BIK, ka pasur shumë raste në të cilat shkollat fillore ua mohuan hyrjen nxënësve
myslimane si rezultat i zbatimit të qarkores administrative të MASH-it që ndalonte “veshjen
fetare” në pronën e shkollës. Imami Labinot Maliqi, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare
“Qendra Kosovare për Paqe”, raportoi se dy nxënëseve të shkollës fillore, njëra në Fushë
Kosovë dhe tjetra në Gjakovë, u ishte ndaluar hyrja në shkollë për shkak të mbajtjes së hixhabit.
Zyrtarët e shkollës e prapësuan vendimin e tyre pasi Qendra Kosovare për Paqe e hetoi këtë
situatë. Në korrik, sipas Maliqit, zyrtarët e MASH-it i thanë se MASH-i zotohej ta rishikonte
ndalimin e veshjeve fetare. Ndalimi mbeti në fuqi në fund të vitit.
Përfaqësuesit e komunitetit mysliman thanë se gjatë vitit pati raste të diskriminimit në punësim
ndaj grave myslimane që vishnin rroba fetare, por nuk përmendën ndonjë shembull.
Më 4 shtator, Kosova dhe Serbia nënshkruan listat e angazhimeve në Uashington, D.C., në të
cilat qeveria e Kosovës u zotua ta mbrojë dhe promovojë lirinë e fesë, përfshirë komunikimin
e përtërirë ndërfetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që kanë
të bëjnë me KOS-in, dhe ta vazhdojë kthimin e pronës hebraike të patrashëguar dhe të
pakërkuar të kohës së Holokaustit.
Zyrtarë komunalë të Deçanit vazhduan ta refuzojnë zbatimin e një vendimi të Gjykatës
Kushtetuese të vitit 2016, që e mbështeste aktvendimin e Gjykatës Supreme të vitit 2012, që ia
njihte pronësinë Manastirit të Deçanit të KOS-it për afro 24 hektarë tokë në afërsi të manastirit.
Në nëntor, KOS-i u ankua në Agjencinë Kadastrale të Kosovës; vendimi i saj nuk ishte zgjidhur
në fund të vitit. Trupat e NATO-s vazhduan të ofronin siguri në Manastirin e Deçanit.
Në gusht, komuna e Deçanit filloi punën në rrugë brenda ZVM-së së Manastirit të Deçanit në
kundërshtim me ligjin. Qeveria e ndaloi punën pas kritikave ndërkombëtare. Në nëntor, KPMja dhe qeveria komunale e Deçanit miratuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Italia që i
përmbahej ligjit për rehabilitimin e rrugës. Marrëveshja përfshiu ndërtimin e një rruge anësore
jashtë kufijve të ZVM-së, e cila do ta lidhte Deçanin me Malin e Zi, dhe të një rruge të veçantë
lokale brenda ZVM-së. Puna e propozuar e rrugës nuk kishte filluar deri në fund të vitit.
Në korrik, Komuna e Prishtinës lëshoi një leje ndërtimi dhe filloi ndërtimin e një xhamie të
madhe në Prishtinë, të financuar nga qeveria turke. Disa qytetarë e kundërshtuan ndërtimin e
kësaj xhamie, duke thënë se dizajni i saj bazohej në një stil arkaik osman, e jo në arkitekturën
tradicionale të xhamive në Kosovë. Disa hoxhallarë lokalë vazhduan të deklaronin se xhamitë
ekzistuese në qytet i përmbushnin nevojat e anëtarëve të tyre dhe nuk kishte nevojë për një
xhami kaq të madhe në këtë zonë.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) raportoi se 23 nga 38 vendet e qeverisjes
komunale kishin kontrata shërbimi me BIK-un për të ofruar shërbime të rregullimit,
mirëmbajtjes dhe varrosjes në varrezat publike. Sipas MAPL-së, prania e një imami hanafi në
një varrim në varrezat e administruara nga BIK-u shpesh konsiderohej e detyrueshme. Disa
bashkësi fetare dhe etnike, veçanërisht myslimane jo-hanafi si shia dhe bektashi, si dhe
protestantë dhe anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, thanë
se aftësia e BIK për ta zëvendësuar personelin tjetër fetar në kryerjen e ceremonive të varrimit
në varrezat e administruara nga BIK-u i pengoi ata që t’i kryenin ceremonitë e varrimit sipas
zakoneve të tyre. MAPL kreu një rishikim gjatë vitit dhe tha se i mbështeste këto shqetësime.
Ajo gjithashtu deklaroi se, në shumë varreza të menaxhuara nga BIK-u, mungesa e mbikëqyrjes
komunale i mundësoi BIK-ut t’i diskriminonte grupet fetare të pakicave në caktimin e
parcelave të varrimit dhe në ofrimin e shërbimeve të tjera. MAPL shtoi se BIK-u gjithashtu
kushtëzoi kryerjen e një ceremonie varrimi me pagesën e tarifave të anëtarësisë vjetore që
ndryshonin sipas komunave prej dy deri në gjashtë euro ($2-$7) në vit për person, që përfshinte
pjesëmarrjen e një imami dhe kryerjen e riteve fetare islame. MAPL bëri thirrje që komunat t’i
përfshijnë të gjitha bashkësitë fetare lokale në diskutimet e kontratave dhe që kontratat të
siguronin trajtim të barabartë për të gjitha grupet. Komunitetet katolike, krishtere ortodokse
dhe hebraike të Prishtinës vazhduan të përdornin varreza të ndara publike të cilat këto grupe i
mirëmbanin dhe operonin në mënyrë të pavarur.
KOS-i dhe komuniteti serb i Kosovës vazhduan të deklarojnë se në shumë komuna të Kosovës
me shumicë shqiptare, qeveritë lokale nuk ofruan mirëmbajtje adekuate për varrezat e tyre dhe
policia nuk ofroi siguri të mjaftueshme, duke lejuar veprime të shpeshta të vandalizmit. Sipas
njoftimeve të mediave në gjuhën serbe në shkurt, varrezat ortodokse me gurë varresh të
dëmtuar dhe bar të keq të rritur shumë ishin të rëndomta në disa zona të vendit. Disa media
gjithashtu deklaruan se serbët e zhvendosur i transferonin mbetjet mortore të të ndjerëve të tyre
në varrezat në Serbi. Në qershor, për shembull, ati Sava shkroi në Twitter se gjendja e varrezave
të KOS-it në zonat me shumicë shqiptare të Kosovës ishte edhe më e keqe se mënyra se si
OSBE-ja e kishte përshkruar në një raport të vitit 2011, në të cilin deklaroi se 392 varreza serbe
ishin në gjendje “të keqe” ose “shumë të keqe”.
Përfaqësuesit e komunitetit hebraik përsëri thanë se qeveritë lokale nuk i mirëmbanin siç duhet
varrezat hebraike jashtë Prishtinës, si në Novobërdë, Lipjan, Kamenicë, Prizren, Mitrovicë dhe
Gjilan, pavarësisht nga detyrimi i tyre ligjor për ta bërë këtë.
Me pëlqimin e qeverisë, OSBE-ja vazhdoi ta monitorojë zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen
e ZVM-ve përreth vendeve fetare dhe të trashëgimisë së KOS-it. Njësia e Policisë për Sigurinë
e Ndërtesave të Trashëgimisë Fetare e Kulturore vazhdoi të ofronte siguri 24-orëshe për 24
ZVM-të në tërë vendin.
Në fund të vitit, komuna e Prishtinës dhe komuniteti hebraik vazhduan të mos pajtoheshin për
një vend të përshtatshëm për një sinagogë për të cilën komuna kishte lëshuar një leje ndërtimi
që në vitin 2016.
KOS-i tha se numri i madh i rasteve të pazgjidhura gjyqësore e pengoi përparimin e një padie
të ushtruar kundër Universitetit të Prishtinës në vitin 2017. Sipas KOS-it, padia kërkon
anulimin e një donacioni të tokës të vitit 1991 nën qeverinë e ish-Jugosllavisë për KOS-in dhe
rrënimin e Kishës së papërfunduar, por të shenjtëruar, të Krishtit Shpëtimtar, të ndërtuar në një
parcelë të tokës brenda kampusit universitar. Edhe komuna e Prishtinës edhe universiteti e
kundërshtuan pronësinë e tokës së KOS-it.
KOS-itha se Agjencia Kundër Korrupsionit e Kosovës vazhdoi ta kontestonte pronësinë e
KOS-it për pronën që agjencia e kishte përdorur që nga viti 2001. KOS-i theksoi se agjencia i
detyrohej qira për përdorimin e pronës. KOS-i mori pagesë të pjesshme për qira në vitin 2018,
por nuk mori kompensim të mëtejmë. Në fund të vitit, as KOS-i dhe as agjencia nuk kishin
iniciuar asnjë veprim ligjor për këtë kontest.
Sipas BIK-ut, qeveria qendrore vazhdoi të siguronte disa fonde për arsimin islam në medresenë
e BIK-ut në Prishtinë dhe në degët e saj në Prizren dhe Gjilan. Disa anëtarë të Fakultetit Juridik
të Universitetit të Prishtinës thanë se besonin që ky financim ishte diskriminues sepse qeveria
nuk siguroi fonde për arsimin fetar për asnjë grup tjetër fetar.
Sipas MASH-it, serbët etnikë dhe disa boshnjakë, goranë, kroatë dhe romë vazhduan ta vijonin
mësimin në shkollat publike në gjuhën serbe të drejtuara dhe të financuara nga strukturat
paralele të qeverisë serbe. Shkollat ofruan mësime për ortodoksët e krishterë dhe qeveria serbe
i pagoi për mësimdhënësit, të cilët ishin anëtarë të KOS-it. Nxënësve u lejohej të zgjidhnin të
mos shkonin nga këto mësime.
KPUK-u theksoi se Zyra e Kosovës për Imigrim vazhdoi ta mohonte njohjen e misionarëve jokosovarë të angazhuar nga kisha. KPUK-u tha se Shërbimi Doganor kërkoi pagesën e 3,393
eurove ($4,200) në taksa për ndihmën humanitare që KPUK-u e kishte marrë nga jashtë gjatë
vitit, ndërsa disa bashkësi të tjera fetare, si BIK-u, ishin të liruara nga taksat. KPUK-u tha se
Shërbimi Doganor vazhdoi të këmbëngulte në pagimin e taksës përkundër ndërhyrjes nga ishkryeministri Ramush Haradinaj në vitin 2019. Përveç kësaj, sipas KPUK-ut, disa biznese nuk
e respektuan lirimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar për mallrat e blera nga kishat e tyre për
shkak të paragjykimeve fetare.
KOS-i vazhdoi të ankohej për deklaratat publike të bëra nga udhëheqja komunale e Deçanit
kundër atit Sava të Manastirit të Deçanit për kundërshtimin e tij për ndërtimin e paligjshëm të
rrugëve brenda ZVM-së së Deçanit.
Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit theksoi se hoqi dorë nga pagesa e shërbimeve për
ujë për ndërtesat fetare që u takojnë të gjitha bashkësive fetare, për dallim nga viti paraprak,
kur i faturoi disa bashkësi fetare, si protestantët dhe tarikatet.
Seksioni III. Statusi i respektit shoqëror për lirinë fetare
Policia kombëtare raportoi për 57 incidente që synonin vendet fetare gjatë vitit, krahasuar me
61 incidente në vitin 2019. Të gjitha incidentet ishin kundër pronës. Prej këtyre 57 incidenteve,
45 ndodhën në vendet myslimane, tetë në vendet e KOS-it dhe tri në vendet katolike, ndërsa
një kishte në shënjestër pronën që nuk i përkiste ndonjë grupi specifik fetar. Policia i klasifikoi
shumicën e 56 incidenteve të tjera si vjedhje, ndonëse disa përfshinin dëmtime të varrezave ose
pronave të tjera. Pati edhe incidente që përfshinin vendet fetare, por që nuk u raportuan në
polici. Policia nuk e klasifikoi asnjë nga 57 incidentet e raportuara si incident me motive fetare.
Megjithatë, KOS-i deklaroi se disa nga incidentet që përfshinin pronën e saj në Kosovë ishin
me motive fetare dhe etnike. Pasi feja dhe përkatësia etnike shpesh janë të lidhura ngushtë,
nganjëherë ishte vështirë të kategorizoheshin incidentet si incidente të bazuara në identitet fetar
KOS-i përsëri deklaroi se raportimi i mediave i kontribuoi një klime të jotolerancës ndëretnike
dhe ndërfetare gjatë vitit. Për shembull, në shtator, dioqeza e kryepeshkopit të KOS-it për
Rashkë-Prizren lëshoi një komunikatë për shtyp me të cilën e dënonte një artikull në gazetën
Koha Ditore nga profesori i historisë Bedri Muhadri. Në komunikatën për shtyp thuhej që
pretendohej pa prova se vendet e shenjta të KOS-it në Kosovë ishin në të vërtetë kisha mesjetare
shqiptare dhe të uzurpuara katolike romake.
BIK-u përsëri deklaroi se kishte raporte në media dhe deklarata në mediat sociale që i
portretizonin negativisht myslimanët. Në korrik, një kolumnist i gazetës dënoi mbështetjen e
fortë publike për ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë, duke shkruar se myslimanët në
vend “nuk kanë më asnjë lidhje me ilirët”, dhe duke shtuar se “investimi në xhami po e largon
Kosovën nga rruga e saj evropiane.”
BIK raportoi për një rast të një gruaje myslimane që iu mohua kontrata e punës në sektorin
privat, por nuk dha detaje. BIK-u tha se gratë e përkushtuara myslimane ngurronin t’i
raportonin rastet e diskriminimit në baza fetare.
Më 6 janar, në Gjakovë, shqiptarët lokalë të Kosovës, përfshirë familjet e personave të zhdukur
nga konflikti i vitit 1998-99, organizuan një protestë para kishës lokale të KOS-it, ku anëtarët
e KOS-it, serbë të zhvendosur të Kosovës, e kishin planifikuar një pelegrinazh në krishtlindjet
ortodokse. Mediat raportuan se organizatorët përsëri e anuluan pelegrinazhin, duke përmendur
shkaqet e sigurisë. Protesta të tilla janë mbajtur që nga viti 2015.
Në gusht, vandalët dëmtuan një kishë të KOS-it në fshatin Sreçkë në Prizren. Në shtator, mediat
raportuan se një kishë e KOS-it ishte përdhosur dhe vjedhur në Babimoc në Obiliq.
Pati raportime për incidente të vandalizmit gjatë gjithë vitit në varrezat serbe. Mediat në gjuhën
serbe raportuan se më 10 janar, një person i panjohur vendosi një flamur shqiptar në gardhin
përreth një varreze serbe në Livoç të Epërm, afër komunës së Gjilanit. Në shkurt, mediat në
gjuhën serbe raportuan se individë të panjohur vandalizuan një varrezë serbe në fshatin Zac në
komunën e Istogut në prag të një shërbimi përkujtimor. Sipas mediave, vandalët rrëzuan dhe
thyen monumente, prenë pemë të vjetra me shekuj që më pas ranë në varreza, dhe e hoqën
gardhin. U raportua se edhe kisha në varreza ishte dëmtuar. Në nëntor, mediat në gjuhën serbe
raportuan se disa monumente u shembën në një varrezë serbe në fshatin Frashër, afër
Mitrovicës së jugut, para një shërbimi përkujtimor. Sipas raporteve të mediave, në qershor, një
grup i serbëve të Kosovës vizitoi një varrezë në Mitrovicën e jugut, ku më shumë se 80 për
qind e gurëve të varreve ishin shkatërruar. Disa media publikuan edhe fotografi të varrezave,
duke treguar gurë të thyer të varrezave dhe gjethnaja të rritura shumë.
Në prill, gurët e varreve në varrezat e anëtarëve të komuniteteve etnike rome, ashkalike dhe
egjiptiane u thyen në komunën e Rahovecit. Kryetari Smajl Latifi publikisht e dënoi këtë
incident dhe bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhershme të policisë për gjetjen e autorëve. IshMinistri për Komunitete dhe Kthime, Dallibor Jevtiq, iu referua rasteve të mëparshme në
komunë dhe u zotua t’i mbështesë familjet e prekura nga incidenti. OSBE-ja gjithashtu i dënoi
këto akte.
Në dhjetor, zyrtarët komunalë të Skenderajt raportuan se vandalët shkatërruan një pllakë të
shkruar me fjalët “Kisha jonë” në qytetin Gjyteti i Syriganës. Ky objekt është një vend i
trashëgimisë kulturore i mbrojtur nga shteti. Asnjë grup specifik fetar nuk e pretendoi pronësinë
e pllakës.
Sipas zyrtarëve të kishës katolike, raportet e vitit 2019 për shkatërrimin e simboleve fetare në
një kishë katolike në fshatin Janjevë dolën të ishin të pasakta.
Udhëheqja e BIK-ut theksoi se një grup i qytetarëve të Mitrovicë loboi për rindërtimin e një
xhamie në Mitrovicën e veriut, të cilën forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë e kishin
shkatërruar në vitin 1999, por që kundërshtimi nga serbët lokalë të Kosovës vazhdoi t’i
pengonte planet e rindërtimit.
Udhëheqësit e grupeve fetare i vazhduan diskutimet ndërfetare për të drejtat pronësore,
prioritetet legjislative dhe çështjet e bashkësive lokale. OSBE-ja vazhdoi t’i koordinonte disa
aktivitete midis grupeve fetare, përfshirë takimet me autoritetet qendrore e lokale, për t’i
diskutuar çështjet si mirëmbajtja e varrezave, lirimi nga tatimi dhe taksat doganore për
aktivitetet humanitare të bashkësive fetare, dhe ndryshimet në Ligjin për lirinë fetare. Një
rezultat i këtij angazhimi ishte mirëmbajtja e përmirësuar e varrezave nga disa qeveri
komunale. OSBE-ja gjithashtu mbështeti përfshirjen e përfaqësuesve të të gjitha bashkësive
kryesore fetare në këshillat komunale për siguri në bashkësi, të cilët u takuan për t’i diskutuar
çështjet e sigurisë.
Seksioni IV. Politika dhe angazhimi i Qeverisë Amerikane
Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të Ambasadës diskutuan dhe biseduan me Kryeministrin dhe
Zëvendëskryeministrin, zyrtarë nga MASH-i, Ministria e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, dhe
udhëheqësit e partive politike nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja
Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për lirinë fetare
që do t’u lejonin grupeve fetare ta fitonin statusin ligjor. Ata gjithashtu nxitën zyrtarët e
qeverisë që ta respektojnë lirinë fetare dhe pluralizmin dhe ta rrisin komunikimin e tyre me
grupet fetare. Ambasadori dhe zyrtarë të tjerë të Ambasadës u kërkuan zyrtarëve të qeverisë
Raporti për liritë fetare ndërkombëtare për vitin 2020
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara • Zyra për demokraci, të drejta të njeriut dhe punë























