Shkarkimi i Metës, Komisioni Hetimor miraton dy ekspertë ligjorë
Gjatë mbledhjes u miratua plani i hetimit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Si dhe dy ekspertë ligjorë për shkarkimin e tij. Përkatësisht Erind Mërkuri dhe Artan Spahiu.
Të premten e 14 majit u mbajt seanca e tretë e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Po ashtu kryetari i komisionit, Alket Hyseni, deklaroi se kanë ardhur shkresa nga SPAK-u, AMA, policia dhe nga Bashkia e Tiranës në lidhje me procesin e hetimit për shkarkimin e Metës.
Sipas Komisionit, raporti për shkarkimin e presidentit do të përfundojë më 24 maj.
Bazuar në kalendarin e Komisionit, më 17 maj, anëtarët do të administrojnë informacionet e marra.
Komisioni do të zhvillojë, më 18 maj, një seancë dëgjimore me presidentin Meta. Dy ditë më vonë, Komisioni do të shqyrtojë përfundimet e hetimit. Më 24 maj, pritet të mbyllet edhe raporti përfundimtar për shkarkimin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Fill pas shpalljes si fitues në zgjedhjet parlamentare, më 25 prill, me 74 mandate, deputetët e Partisë Socialiste (PS) “iu vunë pas” presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Në seancën e parë të Komisionit u paraqitën argumentet dhe shkaqet që i kanë shtyrë për të firmosur shkarkimin e Presidentit.
Gjatë seancës së dytë u vendos që ekspertët do të përcaktohen në seancën e radhës.
Plot 50 deputetë socialistë kanë firmosur pro largimit nga presidenca të ish-kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).
Kjo me argumentin se ka shkelur Kushtetutën me deklaratat e tij para dhe gjatë procesit zgjedhor.
Kjo çështje, pas shqyrtimit në Komisionin Hetimor, do të kalojë më pas në Gjykatën Kushtetuese.
Do të jetë pikërisht kjo Gjykatë që do të japë vendimin përfundimtar në lidhje me shkarkimin e Presidentit.























