BE të mbajë fjalën, të heq vizat, të vazhdojë zgjerimi

BE të mbajë fjalën, të heq vizat, të vazhdojë zgjerimi

Europarlamentari McAllister për Demokracia.com: BE të mbajë fjalën, të heq vizat, të vazhdojë zgjerimi.

Bashkimi i vetëm i zbatueshëm në rajon është bashkimi i zgjeruar evropian dhe rishikimi i kufijve nuk është opsion. Izolimi i qytetarëve të Kosovës po ua humb mundësitë atyre dhe po e dobëson besueshmërinë e BE-së në rajon, prandaj Bashkimi Evropian duhet t’i respektojë premtimet dhe t’i realizojë ato. Për këto dhe çështje të tjera, ekskluzivisht për Demokracia.com flet kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, i cili njihet si një nga personalitetet më me ndikim te kancelarja gjermane Angela Merkel.

David McAllister beson se përpjekjet e përbashkëta të BE-së dhe të SHBA-së, si partnerë strategjikë të Ballkanit Perëndimor, do ta përshpejtojnë dialogun dhe do ta sjellin një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe ligjërisht të detyrueshme.

Demokracia.com: Kosova vazhdon të mbetet e izoluar. Shumë të rinj po largohen nga vendi për të gjetur punë në Gjermani dhe në vende të tjera, duke thyer murin e izolimit. A ka ndonjë shpresë për liberalizimin e vizave?

David McAllister: Liberalizimi i vizave është një përparësi kryesore për Kosovën. Parlamenti Evropian e bëri të qartë në rezolutën e tij të fundit se “liberalizimi i vizave do të përmirësojë stabilitetin dhe do ta sjellë Kosovën më pranë BE-së, dhe se izolimi i qytetarëve të Kosovës po ua humb mundësitë atyre dhe po e dobëson besueshmërinë e BE-së në rajon”.

BE-ja duhet të respektojë premtimet e saj dhe t’i realizojë ato kur partnerët tanë mbajnë fjalën e tyre. Tashmë kanë kaluar pothuajse tri vjet prej dhënies së dritës jeshile nga Komisioni. Parlamenti Evropian ka qenë gjithmonë një avokat i fortë për heqjen e vizave për Kosovën. Kosova ka popullsinë më të re në Evropë dhe mbajtja e tyre në izolim është e papranueshme. Ajo që gjithashtu është e papranueshme është se potenciali i të gjithë këtyre të rinjve nuk mund të përdoret në vendin e tyre të lindjes. Në rezolutën më të fundit për Kosovën, Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me emigracionin masiv të punëtorëve me aftësi profesionale nga Kosova dhe bëri thirrje për futjen e masave gjithëpërfshirëse socio-ekonomike për ta adresuar atë.

Demokracia.com: Kohët e fundit është ringjallur ideja e ndryshimit të kufijve dhe krijimi i shteteve të mëdha monoetnike në Ballkanin Perëndimor. Si po shihet ky debat në Bruksel?

David McAllister: Bashkimi Evropian ka qenë i qartë në mbështetjen e tij të pa mëdyshje për integritetin territorial dhe sovranitetin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Çështja e ndryshimit të kufijve nuk është opsion. Më 25 mars 2021, Parlamenti Evropian miratoi rezolutat e tij 2019-2020 mbi Serbinë dhe Kosovën, të dyja të përgatitura nga Komiteti i Punëve të Jashtme. Plenarja ripërsëriti se shtetet etnike homogjene nuk duhet të jenë objektiv në rajon. Llojllojshmëria kulturore dhe etnike është forca e Evropës. Bashkimi Evropian mbështet Ballkanin Perëndimor në punën drejt bashkëpunimit rajonal, pajtimit e në sjelljen e rajonit në Bashkimin Evropian dhe jo duke i ri-vizatuar kufijtë.

Demokracia.com: Në Kosovë kemi një Qeveri, e cila kauzë kryesore para ardhjes në pushtet e kishte bashkimin me Shqipërinë dhe nuk i jep prioritet dialogut me Serbinë. Cilat janë pritjet e Brukselit për Qeverinë Kurti?

David McAllister: Bashkimi Evropian pret që Qeveria e re në Prishtinë të angazhohet në mënyrë konstruktive, në mënyrë që të vazhdojë takimet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, kryeministri Albin Kurti konfirmoi se Kosova pranon dialogun me Serbinë dhe dëshiron t’i zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Për më tepër, Kosova duhet të shpejtojë reformat thelbësore për të adresuar mangësitë në fushat e sundimit të ligjit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat themelore, funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike, zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën. Bashkimi i vetëm i zbatueshëm në rajon është bashkimi i zgjeruar evropian.

Demokracia.com: Kemi një president të ri në Shtëpinë e Bardhë. A do të reflektohet kjo në një koordinim më të mirë transatlantik dhe a mund të jetë e dobishme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Ballkan?

David McAllister: Ndryshimi i Administratës në Shtëpinë e Bardhë ka sjellë mundësi të reja për të rivendosur marrëdhëniet transatlantike. Presidenti Biden tashmë ka pohuar gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të përpjekjeve për të siguruar paqe të qëndrueshme në Ballkan, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. SHBA-ja dhe BE-ja, si palë, tani mund t’i bashkërendojnë më mirë dhe më afër aktivitetet e tyre në Ballkanin Perëndimor. Unë besoj se përpjekjet e përbashkëta të BE-së dhe të SHBA-së, si partnerë strategjikë të Ballkanit Perëndimor, do të përshpejtojnë dialogun dhe do të sjellin një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe ligjërisht të detyrueshme, në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kjo është thelbësore jo vetëm për këto dy vende, por për sigurimin e stabilitetit dhe prosperitetit në tërë rajonin.

Demokracia.com: Rusia i lëvizi trupat në kufirin me Ukrainën. Kjo lëvizje alarmoi NATO-n. A duhet të na trembin këto zhvillime këtu në Ballkanin Perëndimor?

David McAllister: Pozicionimi i forcave ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës dhe në Krimenë e aneksuar në mënyrë të paligjshme, është një shqetësim i madh. Lëvizjet e tilla në shkallë të gjerë të trupave përfaqësojnë aktivitete kërcënuese dhe destabilizuese në të gjithë rajonin. Kjo e vë në sprovë tërë procesin e paqes. Ne duhet të shohim një kthim në dialog dhe një armëpushim. BE-ja, si një tërësi, i ka bërë thirrje vazhdimisht Federatës Ruse që të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Besoj se përpjekjet e bëra përmes Procesit të Normandisë për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, do të materializohen në një zgjidhje të qëndrueshme politike të konfliktit.

Demokracia.com: Pandemia ka dëmtuar çdo sferë. Sa do të ndikojë kjo në perspektivën evropiane të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit? A është zgjerimi akoma temë në BE?

David McAllister: Pandemia COVID-19 ka krijuar një krizë të paparë dhe do të ketë ndikim afatgjatë në të gjitha sferat e jetës sonë. Gjithashtu, do të ketë pasoja të mëdha për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së. Ne duhet të marrim mësim nga kjo dhe të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Pavarësisht nga pandemia, procesi i zgjerimit të BE-së vazhdon. Rishtazi, më 10 maj, Ballkani Perëndimor ishte në krye të agjendës së Këshillit të Punëve të Jashtme. Shtetet anëtare kanë rikonfirmuar perspektivën e qartë evropiane të rajonit dhe vendosmërinë e BE-së për të pasur një angazhim të fortë politik me partnerët tanë. BE-ja ka avancuar përpjekjet për të ndihmuar partnerët e Ballkanit Perëndimor për t’iu përgjigjur pandemisë, përmes ndihmës shëndetësore, financimit për rimëkëmbjen socio-ekonomike dhe dhurimit të vaksinave. Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor i filluar gjatë pandemisë, është një shembull i tillë. Në të njëjtën kohë, periudha aktuale është një test për besueshmërinë e procesit të zgjerimit. Bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, si dhe zbatimi i liberalizimit të vizave për Kosovën, duhet të fillojnë tani.

Demokracia.com: Në Kosovë po kritikohet puna e Gjykatës Speciale, e cila nuk po merret me krimet serbe ndaj shqiptarëve. Si e shihni punën e kësaj gjykate?

David McAllister: Drejtësia për krimet e luftës duhet të vendoset pa paragjykuar origjinën e viktimave ose të autorëve të tyre. Origjina e vetme e viktimave është njerëzore, ndërkaq adhurimi i kriminelëve të luftës është i papranueshëm. Pajtimi mund të sigurohet vetëm nëse të gjitha mizoritë e kryera në Kosovë adresohen nën gjykime të drejta, duke siguruar mbrojtjen e duhur të dëshmitarëve. Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë një demonstrim i rëndësishëm i angazhimit të Kosovës për sundimin e ligjit. Është me rëndësi të madhe që këta të vazhdojnë punën e tyre të pavarur, pa ndonjë ndërhyrje nga jashtë.

Demokracia.com: Po ashtu, kohëve të fundit janë rritur edhe kritikat kundër EULEX-it. Si e shihni misionin më të madh të sundimit të ligjit të BE-së?

David McAllister: Misioni i EULEX-it është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të promovuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe për të mbështetur autoritetet e Kosovës në reformat e nevojshme. EULEX-i kontribuon në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit. Në veçanti, rezultatet e saj në forcimin e shërbimeve doganore dhe të Policisë së Kosovës janë inkurajuese. Është e padiskutueshme që EULEX-i duhet të respektojë standardet më të larta. Të gjitha pretendimet duhet të verifikohen dhe të hetohen si duhet. /Demokracia.com/


MË SHUME NGA Intervista